Kryeministri Edi Rama që prej orës 09:00, ka mbledhur të gjithë ministrat në Durrës, ku po bën analizën e qeverisë në vitin që po lëmë pas. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se në fokus të mbledhjes ka qënë bilanci i punëve të vitit 2019.

Rama ka bërë një analizë për secilën ministri për vitin 2019, si dhe është analizuar situata pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Dosja.al mëson se Rama ka qenë i ashpër me të gjithë ministrat dhe u ka kërkuar më shumë rezultate për të arritur objektivat. Po ashtu kreu i qeverisë mësohet t’u këtë thënë ministrave që të angazhohen më shumë në situatën pas tërmetit dhe të shparndahen të gjithë në terren.

Një vit më parë, kryeministri Rama ndryshoi kabinetin qeveritar, duke zëvendësuar shtatë ministra. Në mesin e ndryshimeve, ishte edhe ardhja e dy ministrave nga Kosova, Besa Shahini mori timonin e ‘arsimit’, ndërsa Gent Cakaj zëvendësoi Ditmir Bushatin.

Gjithsesi, ngjarjet më të bujshme të vitit që po lëmë pas, që do të jenë edhe pikat kyçe të vlerësimit të ministrive është “PO” ja me kushte nga Bundestagu për çeljen e negocitave dhe tërmeti i 26 nëntorit që la pas 51 viktima. Për gjendjen e post-tërmetit kryeministri Edi Rama vendosi Arben Ahmetajn si ministër për Rindërtim. Po kështu më 16 janar pritet të dalë fatura përfundimtare për dëmet e tërmetit dhe më pas do të zhvillohet në Tiranë konferenca e donatorëve, ku pritet të marrin pjesë biznesmenë nga shumë vende të botës.