Ernest Koliqi – Shkodra në mëngjes

Këndojn’ sbashku n’mëngjes pes’ kumbonare,
këndojn’ n’ajrí mbi Shkodër ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh n’liqê sýnin e qetë.

Përhap’ lajmin e zgjimit rrezja e parë e
t’parat përshndetje dridhen n’heshtí t’letë,
e shpejt n’at lavdí dielli, qi e vesh’ fare,
Shkodra kumbon me zâne, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i rí shprazet n’shtëpija,
udha e lulishta, tue ngjall’ ngjyra e shkndija,
tu mbshtjell’ gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skâj në skâj si lum gzimi tue rrëshqitë
n’syt e vashave qeshë, e mbush’ me dritë
kaçurrelat e tynë kur shkojn’ n’shkollë.