Sfidat e jetës ndonjëherë të përplasin me fatkeqësi të paimagjinueshme, dhe pjesa më e vështirë është të pranosh realitetin. “Ka një mesazh për ty” solli ditën e sotme, historinë e rëndë të Valdetes. Në moshën 3-vjeçare, motra e saj padashje i derdh sipër qumështin e nxehtë.

Ka qenë një moment i vështirë dhe i dhimbshëm, që u pasua nga një gjendje e keqe shëndetësore. Valdetja bie në komë, por fatmirësisht gjendja e saj me kalimin e ditëve u përmirësua, edhe pse për 3 vite me rradhë, spitali u kthye në shtëpinë e saj të dytë.

Valdetja: Historia ime fillon në moshën 3- vjeçare me një fatkeqësi që ndodhi në familjen time. Atë ditë në fakt, mbaj mend në shtëpi kam qenë me dy motrat e mia, njëra dy vite përpara meje dhe tjetra 14-vjeçe. Dhe pikërisht motra që ishte 14 vjeçe, i ndodhi në njëfarë mënyre dhe asaj fatkeqësia që të më digjte, jo se donte. Duke ngritur tenxheren e qumështit, padashje, unë duke luajtur me një lodër, diku e ulur tek pragu i derës, i rrëshqet dhe i gjithë qumështi bie mbi mua.

Ardit Gjebrea: E kujton atë moment?

Valdetja: E kujtoj vërtet dhe është për t’u habitur, që deri në momentin kur jam dërguar në spital, kam përjetuar dhe kam dëgjuar gjithçka çfarë thoshin njerëzit rreth meje, vetëm që nuk kisha forcë, që të thoja: Boll se po më lodhni. Nuk e di kisha shumë dhimbje. Komshinjtë që erdhën rreth e rrotull, në moment ata u gjendën. Shiko është vërtet për të të ardhur keq, por ata kanë eksperimentuar me mua.

Ardit Gjebrea: Në ç’kuptim?

Valdetja: Mbaj mend dikush i thoshte futeni në ujë të ftohtë, dikush në ujë të kripur.

Ardit Gjebrea: Të futën në ujë të kripur?

Valdetja: Po dhe e mbaj mend, se ndjeva një dhimbje të jashtëzakonshme.

Ardit Gjebrea: Po prindërit e tu ku ishin në atë kohë?

Valdetja: Në punë, erdhën në shtëpi dhe më çuan në spitalin e Burrelit. Në momentin kur gjendesha në spital, ishte një moment mes jetës dhe vdekjes, kam qëndruar për ditë të tëra, le të themi në gjendje kome, nuk përmendesha. Dhe isha në atë gjendjen që nuk merrja dot as serum, trupi im s’po pranonte më asgjë.

Ardit Gjebrea: Po kështu, nga pamja e jashme nuk duket asgjë?

Valdetja: Fatmirësisht nuk duket asgjë, shumë jam rikuperuar dhe në disa vende është dashur dhe të bëhet ndërhyrja. Shenjat më të mëdha janë aty ku trupi e ka mbajtur nxehtësinë.

Ardit Gjebrea: Sa kohë ke ndenjur në spital?

Valdetja: Goxha, 3 vjeçe deri në 6-vjeçe, ishte periudhë spital- shtëpi. Mbaj mend në klasë të parë thashë shpëtova, nuk do i frekuentoj më spitalet.