Makina e prokurorit të Vlorës, Albert Kuliçi ka shpërthyer gjatë natës, pasi i ishte vënë një sasi tritoli. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka patur persona të lënduar por vetëm dëme materiale.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 2:50 të mëngjesit të sotëm në lagjen “28 nëntori” dhe në momentin e shpërthimit makina tip “Golf 5 Plus” ka qenë e parkuar para banesës së prokurorit.

Lënda plasës automjetit i është vënë në pjesën e përparme. Prokurori Kuliçi ka në dorë shumë dosje të nxehta që kanë bërë bujë në qytetin e Vlorës.

Ndërkohë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka rrethuar skenën e ngjarjes. Një grup hetimor po punon për zbardhje e plotë të kësaj ngjarje. Po ashtu në vendin e ngjarjes është parë edhe vetë prokurori Kuliçi i cili do të jap edhe dëshminë e tij rreth kësaj ngjarje.

Ky është atentati i dytë që i bëhet një prokurori ku më herë iu bë atentat prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja./ Opinion.al