Kryeministri Edi Rama foli për mediat pas konferencës së përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, atë të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Rama u pyet nga gazetarët për mungesën e Kosovës në këtë Samit, duke thënë se vendi i dytë i shqiptarëve po hyn në një rrugë qorre.

Sipas kryeministrit, Kosova është ulur me Serbinë në Berlin, Londër, Sarajevë, e shumë vende të tjera, për të njëjtat çështje, madje ka ngrënë edhe dreka e darka, ndaj dhe me refuzimin në këtë samit po humb reputacionin dhe respektin.

Më tej, ai shtoi se Kosova është ftuar për të qenë e pranishme dhe ndaj saj nuk është vënë asnjë kusht dhe nuk është se ka ndryshuar qasje për të drejtën e saj për njohje nga Serbia.

“Dua t’iu kujtoj patriotëve të profileve fallso në “Facebook” që bëjnë sikur kanë rënë nga qielli, që ka 5 vjet, që vëllezërit e Kosovës janë në tryezë me Presidentin e Serbisë, me kryeministren e Serbisë, me gjithë të tjerët, në Berlin, në Londër, në Sarajevë, në shumë vende, dhe duket sikur është hera e parë që bëhet një takim për ato gjëra, për të cilat vëllezërit e Kosovës kanë rënë dakord me vite të tëra.

Është mirë të kuptohet kjo. Është mirë të kuptohet që kanë ngrënë e pirë nëpër tryeza darka e dreka pune me palën serbe dhe me tjerët, dhe kanë bërë shumë mirë. Kjo nuk do të thotë që kanë hequr dorë nga pavarësia, apo të gjitha pretendimet legjitime lidhur me të shkuarën, por kanë qenë të ulur aty sepse jetojmë në një botë të ndërlidhur. Kosova është pjellë e luftës së popullit të saj, por mbi të gjitha e luftës me bomba të SHBA dhe të shumë prej vendeve të mëdha të BE.

Ndërkohë që i gjithë Bashkimi Evropian deh SHBA janë sot në tryezë, Kosova mungon, jo se nuk është ftuar, se i është vënë ndonjë kusht apo se kemi ndryshuar ndonjë qasje për të drejtën e saj për të qenë e njohur nga Serbia, por se ka hyrë në një rrugë qorre. Prej disa kohësh po i bie vetes dhe po humb respekt, reputacion. Më thoni një gjë me të cilën Kosova nuk ka qenë dakord, ka qenë në tryezë të Procesit të Berlinit, të CEFTA, kanë qenë në të gjitha”, tha Rama.