Është publikuar video kur ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala e ka goditur me shpullë gazetarin e portalit Indeksonline.

Të martën mbrëma një gazetar raportoi në polici se ishte sulmuar nga Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Gazetari i portalit IndeksOnline, Ensar Ramadani kishte rrëfyer se teksa ishte duke përcjellë një rast të plagosjes në QKUK, ishte sulmuar fizikisht nga ana e ministrit në detyrë, Shala pasi që gazetari e kishte fotografuar.

Ministri Shala kishte thënë se nuk bëhej fjalë për sulm, mirëpo, se kishte qenë konflikt verbal.

Kallxo.com ka publikuar video të momentit kur ndodhi sulmi. Me rastin ndërkaq janë duke u marrë organet e rendit.