Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë të paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Sistemim blloqesh banimi, rruga “Shaban Bushati”, në bashkinë Shkodër.

Në mbështetje të ligjit “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi që shpronësimi të bëhet në favor të bashkisë Shkodër dhe që pronari i pasurisë të paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë “truall”, me sipërfaqe 500 (pesëqind) m², me vlerë të përgjithshme prej 4 255 500 (katër milionë e dyqind e pesëdhjetë e pesë mijë e pesëqind) lekësh.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 4 255 500 (katër milionë e dyqind e pesëdhjetë e pesë mijë e pesëqind) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e bashkisë Shkodër, planifikuar në buxhetin e saj, me vendim të këshillit bashkiak.

Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Brendshme.

Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur pranë bashkisë Shkodër certifikatën e pronësisë, hartën treguese të regjistrimit, si dhe kartelën e pasurisë.
Afati i përfundimit të punimeve të objektit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga bashkia Shkodër.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të Bashkisë Shkodër.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasurinë e shpronësuar.

Ngarkohen Ministria e Brendshme, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.