Përdorimi i territorit të tij për të kapërcyer drejt vendeve të Bashkimit Europin, ka detyruar Malin e Zi të marrë një masë gati ekstreme ndaj emigrantëve të paligjshëm duke vendosur përgjatë kufirit ushtrinë.

Mësohet se kjo masë vjen në kohën kur në raport me një vit më parë, numri i emigrantëve që vijnë nga vendet e Lindjes dhe që përdorin kufijtë malazezë për të hyrë në vendet e BE-së është dyfishuar.

Rreth 8,000 emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut kanë kaluar tranzit Malin e Zi në vitin 2019 – gati dyfish më shumë se vitin paraprak, ka njoftuar më herët Organizata Ndërkombëtare për Migrimin.

“Ushtria do të angazhohet në mbrojtjen e kufijve të shtetit dhe do t’i ndihmojë agjencitë e sundimit të ligjit”, tha të premten Këshilli për Mbrojtje dhe Siguri i Malit të Zi.

Ndërkohë një masë e tillë do të vihet në zbatim në fund të këtij viti ku ushtria malazeze do të nisë monitorimin e kufirit.

Që nga fillimi i 2019-tës, policia ka arrestuar 51 persona të dyshuar si trafikantë të emigrantëve të cilët mendohet se marrin shuma të konsiderueshme parash për t’i çuar emigrantët në vendete BE.