Bashkëshorti i Majlinda Bregut, Namik Ajazi ka rrëfyer fillimet e lidhjes me ish-deputeten demokrate, Majlinda Bregu. Ata kanë 22 vite bashkë, ndërsa Ajazi ka treguar se dashuria e tyre ka nisur në një kohë të trishtë kur vendi ishte “pushtuar” nga epidemia e kolerës.

Ai ka deklaruar në emisionin “Rudina” se fillimisht ata kanë udhëtuar bashkë për të realizuar një kronikë për këtë epidemi dhe aty kanë lindur shkëndijat e para.

“Jemi njohur në TVSH, ishte një moment në ’94, kur u fol për një epidemi kolere. Unë vij nga Telenora për të xhiruar diçka, me një grup miks, pra do të përdornim të njëjtin operator dhe Majlinda asokohe bashkëpunonte me televizionin, ishte në vitin e fundit në Fakultetin e Shkencave Sociale, bashkëpunonte me televizionin si gazetare dhe spikere lajmesh e orës 20:00.

Kështu që qëlluam që bëmë atë udhëtim bashkë për të bërë kronikën. Nuk ishte mbase kolera, por kjo u bë shkak i njohjes mbas së cilës ne filluam të takoheshim. Unë vendosa të bëj hapin e madh të fejoheshim dhe të krijonim familje”, ka treguar regjisori i njohur, Namik Ajazi.