Ish-ministri i Financave Arben Malaj ka folur sot në parlament për vendimin e maxhorancës për ta shkarkuar si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, aktualisht i pezulluar me firmë të zëvendës kryeministrit Erion Braçe.
Malaj u shpreh se Rama e ka goditur pas shpine, kurse ka shtuar se gjithnjë moralisht ka dalë i ftuar ndaj kryeministrit.
“Vetëm në telefon kam dëgjuar zërin e përlotur të nënës së Bashkim Finos. E kisha të pamundur mos t’i jepja fjalën se Bashkimit do i rrija pranë dhe nuk do e lija vetëm asnjëherë. Në vitin 1998, Majko më ftoi në qeverinë e tij. Nuk pranova, por ne mbetëm përherë miq të mirë. Në vitin 2002, Ilir Meta me të cilin konkurrova për postin e kryeministrit, me të njëjtin debat që është sot, se Shqipëria ka nevojë për institucione të forta, jo indivodë të fortë, më ftoi në qeveri, por unë qëndrova deputet. Kam investuar përherë për dijet, jo për karriget.
Sot jam krenar që në familjen time të vogël kemi 5 diploma nga 4 universitetet më të mira në botë. Më ka inspiruar gjithmonë kultura hebraike, ku prindërit këshillojnë fëmijët se në jetë mund të të marrin çdo gjë, pasurinë, karriget, fitimet, punën, por jo dijen. Dijen nuk ta marrin dot, pa të marrë edhe jetën. Ndoshta ka qenë kjo arsyeja e përhershme pse diktatorët përherë i kanë vrarë, persekutuar dhe denigruar njerëzit e ditur. Është vërtetuar nga mençuria e popujve se të paditurit i urrejnë të diturit.
Sot përballë vendit tim dhe deputetëve jam krenar që periudha e menaxhimit të financave publike nga viti 1997 deri më 2005 mbetet akoma më e mira. Ndërsa ju zoti kryeministër do të rrezikoni të mbeteni kryeministri më i dështuar në historinë e shtetit shqiptar. Kjo të bën xheloz dhe të pashpirt për të goditur prapa shpine. Ju kërkova me lëtër që më datë 23 korrik 2019 të më thërrisni në mbledhjen e qeverisë dhe të më lexoni ballë për ballë. Keni goditur shpesh pas shpine shoku Rama, por asnjëherë nuk ke dalë moralisht i fituar.
I kam fituar gjithmonë sfiat me ju., Dështimi juaj vjen nga aleatët që keni zgjedhur vetë. Ne që në fillime kemi zgjedhur qartësisht dy rrugë të ndryshme. Në vitin 1001, kundërshtova kandidaturën tuaj në Kryesi për kryetar të bashkisë. Gjë që ju nuk ma harruat kurrë, sepse kisha bindjen sepse ju nuk keni asnjë qelizë shtet-formuese në vetëdijen tuaj. Në vitin 2005, Nano më ftoi të konkurroj për drejtimin e Partisë Socialiste, duke më thënë se do të mëmbështeste, por nuk e pranova këtë ofertë.
Duke shfrytëzuar gjithçka negative, ju shoku Rama arritët që të bëheni kryetar i Rilindjes së PS dhe kryeministër i Shqipërisë. Por, siç thotë filozofi i njohur grek Ezopi krushqia me njerëzit e liq përfundon gjithmonë keq siç po përfundon në mënyrë dështuese epoka juaj e drejtimit të Shqipërisë.
Arben Malaj theksoi se e majta shqiptare ka personalitete politike tepër të mira që mund t’i shërbejnë Shqipërisë më mirë se Edi Rama.
“E majta ka shumë personalitete, që mund ta qeverisin Shqipërinë shumë më mirë se ju, por dehja nga pushteti abuziv ju mban të lidhur siç mban droga të droguarit. Të nderuar deputetet, siç thuhet rrallë e më rrallë, në jetë disa gjëra nuk janë për shitje. Integritetin dhe dinjitetin tim kurrë nuk e kam ofruar për shitje. Sepse në rrënjët e dinjitetit tim gjendet sakrifica e prindërve të mi punëtorë, që rritën 9 fëmijë, 6 prej të cilëve sot kanë diploma universitare.
Është sdakrifica ime rreth 6 vjet punë në bujqësi dhe rreth 6 mijë kilometra rrugë në këmbë vetëm që të mirë-arsimohem. Është krenaria e mësuesve të mi, nga shkolla fillore Llakatund, shkolla e mesme e Nartës në Vlorë, deri tek studimet në Harvard.
Janë ata që vazhdojnë të më inspirojnë t’i shërbej me dinjitet Shqipërisë. Sakrificat e lodhshme të ekipeve në ministri dhe të Komisionit në Kuvend, janë në këtë dinjitet, pa të cilët suksesi do të ishte i pamundur dhe dështimi do të ishte i sigurt. Admirimi dhe mbështetja nga socialistët, por edhe ajo e popullit të thjeshtë të vendit tim, që i ndjej kudo e përditë, janë shpresat e qindra studentëve, karrierës time akademike 27-vjeçare, që më kërkojnë të mbetem një model inspirues”, tha Malaj.
Po ashtu, Arben Malaj nënvizoi se në një rast një ushtar i Ramës kishte thënë ndaj Oketës se “ne iu shtypim me këmbë”, duke thënë se Edi Rama po bën rolin e gjeneralit në këtë rast.
“Lidhur me Bankën e Shqipërisë, ju shoku Rama nuk jeni aspak i sinqertë. Ju e latë Bankën e Shqipërisë rreth 2 muaj e gjysmë pa Këshillin Mbikëqyrës, ishin vetëm 3 nga nëntë. Kjo nuk ndodh as në vendet e Afrikës Sub-Afrikane. Keni që në 16 korrik, shkresën e Kuvendit për të analizuar kërkesën e deputetëve për shkarkimin tim. Vepruat në errësirë vetëm më datë 3 dhjetor pas disa muajve, Deklaruat se nuk kishit asnjë shqetësim për deklaratat e mia publike.
Vepruat më 3 dhjetor, me një hakmarrje primitive, sepse u mërzitët nga debati me një ushtar tuajin besnik, që arriti deri aty sa publikisht kërcënoi një nga personalitetet e të djathtës shqiptare zotin Oketa, duke i thënë se ne do iu shtypim me këmbë. Kush ne, ai dhe ju? Ushtari dhe gjenerali? Pezullimi dhe shkarkimi juaj pa një bazë ligjore është hakmarrje primitive ndaj shërbimeve që unë kam kryer në bord. Ndoshta jeni zemëruar nga vota “kundër” në disa raste dhe ndoshta aleatët tuaj të biznesit janë mërzitur. Ju mbani pa status të qartë kushtetues Guvernatorin aktual të Bankës së Shqipërisë, sepse i doni të gjithë të dobët. Unë nuk godas asnjë prapa shpine, nuk jam si ju.
Kam disa muaj që iu kam njoftuar me shkrim, e ka një kopjo edhe ministrja e Financave, që guvernatori aktual nuk e ka bazën ligjore që të vazhdojë detyrën e tij. Sepse nuk është anëtar i Këshillit Mbikëqyës të Bankës së Shqipërisë, mandat që e jep vetëm Kuvendi i Shqipërisë. Kështu që kam vendosur t’i bëj një tjetër shërbim vendit tim. Sapo të krijohet Gjykata Kushtetuese, do ta ballafaqoj këtë gjendje , pikërisht në Gjykatën Kushtetuese. Ju shoku Rama e urreni pavarësinë institucionale të cdo institucioni kushtetues. Shikoni gjyqësorin, shikoni KLSH-në, Keni hedhur poshtë 3 kandidatura të presidentit, i ndryshoni drejtuesit e autoriteteve rregullatore e mbikëqyrëse dhe drejtoni autoritetet publike me mesazhe, sikur të jenë punonjës magazine.
Pavarësisht nga pabesia juaj dhe goditjet prapa shpine, kam ndjerë përgjegjësi ndaj vendit tim dhe ju kam ardhur sa herë që më keni kërkuar dhe sa herë që më keni kërkuar të takohemi. Sa herë më keni kërkuar mendim, ju kam bërë memo. Në fund kam një mesazh për deputetët. Do ta mbroj pavarësinë e Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve kushtetuese të vendit tim deri në fund, Ramën dhe qeverinë e tij e kam mundur njëherë në Gjykatën Kushtetuese, kur i hodha poshtë një pjesë të taksave vrastare për bizneset. Do ta mund përsëri, por dëmin moral e shpenzimet gjyqësore do ta paguajë vetë”, u shpreh Malaj.