Eurodeputeti, David Lega në një reagim në mediat sociale ka ritheksuar edhe njëherë se nuk është dakord me paketën anti-shpifje të propozuar nga qeveria. Raportuesi i Partive Popullore Evropiane, është shprehur se nëse qeveria miraton ligjin do rrezikojë seriozisht integrimin në BE.

“Grupi EPP në Parlamentin Evropian beson fuqimisht në hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë. Sidoqoftë, Shqipëria duhet të përputhet me kriteret e Kopenhagut, që janë standardi bazë dhe minimumi për një vend kandidat.

Nëse qeveria Rama miraton legjislacionin e medias në plenare në formën e saj aktuale, ajo do të rrezikojë seriozisht shanset për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ata duhet të zbatojnë rekomandimet e lëshuara nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës”, shkruan Lega.