Gazetarët, shoqatat e mediave vendase dhe të huaja si dhe aktivistë të shoqërisë civile po protestojnë sot para Parlamentit prej orës 09:30, kundër miratimit të paketës anti-shpifje.

Paralelisht në Kuvend, pritet që të diskutohet për paketën dhe miratimin e saj. Për më shumë se një vit kjo paketë është kundër shtuar nga dhjetëra shoqata të gazetarëve, si dhe nga ndërkombëtarët, por qeveria nuk ka marrë parasysh kritikat dhe sot kërkon miratimin e ligjit në Kuvend.

Pak ditë më parë Komisioni i Ligjeve, miratoi në parim paketën e cila do të kalojë në Kuvend më 18 dhjetor, me disa ndryshime të papërfillshme, siç është përzgjedhja përmes konkurrimit, e Bordit të Ankesave, një këshill i cili do të ketë fuqi për të gjobitur dhe mbyllur portalet.

Ndërkohë që tek “Media”, anëtarët vendosën të ulnin gjobën për portalet në maksimumi 4 milionë lekë të vjetra, por socialistët janë tërhiqur dhe nga ekzekutimi i gjobës para vendimit të gjykatës. Është kjo një nga pikat më të nxehta të paketës anti-shpifje, e njoftuar prej 2 vitesh nga Rama, me arsyetimin se mediat online duhet të funksionojnë në bazë të rregullave.

Komuniteti i gazetarëve, intelektualëve dhe organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut, kanë dalë kundër draftit, pasi sipas tyre bie në kundërshtim me Konventën për të Drejtat e Njeriut. Me këtë paketë, Shqipëria bëhet vendi i parë në Evropë që gjobit gazetarët me vendime administrative, dhe i jep fuqi të plotë AMA-s, si një gjykatë për mediat.