Gazetarja e njohur Mimoza Koçiu, ish-studente e dhjetorit ’90, thotë se ndihet e dëshpëruar që pas gjithë këtyre viteve i duhet të ngrihet në protestë për lirinë e fjalës. Dhe mbi të gjitha – thotë ajo – kur përball saj ka një pedagog që në takimet e dhjetorit, mbante në mesin e tyre fjalime mbështetëse, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama, në atë kohë pedagog tek Akademia e Arteve.
Mimoza Koçiu: Do doja të merrja fjalët e Carlo Bollinos: “Ne nuk kemi nevojë që qeveria të na bëjë kryeredaktorin”. Është përpjekur në çdo formë ta bëjë. Mbaj mend ERTV-në, ka pasur një faqe që quhej transparenca.al që korrigjonte lajmet tona, që thonin se ishin të rreme. Është anormale të vihet në diskutim fjala e lirë. Unë jam një nga ish-studentet e dhjetorit ’90.
Dhe mbaj mend si na vinte Edi Rama, pedagogu fancy i arteve dhe mbështetja dhe fjalimet që mbante atje na vinte mirë që kishim pedagogët atje. Më vjen keq që unë sot çohem për fjalën e lirë dhe përballë kam pedagogun që mbështeste ne. Ndryshimet janë bërë deri mbrëmë vonë, dhe deri sot në mëngjes, të paktën më erdhi edhe një variant që mbante logon e Partisë Socialiste.
Parlamenti është kthyer në noter të kryeministrit, ndërkohë që parlamenti kontrollon qeverinë. Çfarë do bëjmë ne nëse e kalojnë në Kuvend? Ka instanca të tjera që do të përpiqemi t’i përdorim. Do i kërkojmë presidentit të mos i dekretojë. Do flasim me instancat ndërkombëtare. Do të përpiqemi të jemi të gjithë bashkë, jemi në një mendje se të gjithëve po kërkohet të na kërcënojë. E përshëndes Carlon se është një gazetar me eksperiencë. Faleminderit që je në anën tonë.