Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dalë publikisht kundër qeverisë lidhur me paketën anti-shpifje, e cila pritet të miratohet në parlament dhe që është kundërshtuar fuqishëm nga gazetarët, por edhe nga institucionet e BE.
Kreu i shtetit ka shpërndarë postimin e Komisioneres së Lartë të Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, e cila i bëri sot thirrje Kuvendit të rishikojë projektligjet për paketën anti-shpifje.
“Shqipëria nuk ka nevojë për rekorde të tjera negative ndërkombëtare! Mjaft me nxitimin për t’i shtuar ato më tej! Shqetësimet e komunitetit të gazetarëve dhe të partnerëve tanë duhet të dëgjohen me shumë vëmendje dhe përgjegjshmëri! Pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur!“, shkruan presidenti Meta.