Takimi Shqipëri-Francë, që përkonte dhe me përurimin zyrtar të “Air Albania Stadium”, ka qenë në qendër të vëmendjes të UEFA-s në mbledhjen e fundit të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës.

Federata Shqiptare e Futbollit është ndëshkuar me 23.250 euro gjobë nga ana e UEFA-s. Në vendimin e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës, sqarohet se me 3250 euro është ndëshkuar hedhja e objekteve në fushën e lojës, ndërsa me 5 mijë euro vërshëllimi i publikut ndaj himnit francez.

Pjesa më e madhe e gjobës, plot 15 mijë euro, kanë ardhur si pasojë e mbylljes së daljeve të “Air Albania Stadium”. FSHF ka 90 ditë kohë për të derdhur në bankë gjobën e marrë.