Komisioni i Medias është mbledhur sërish mbrëmjen e sotme për të diskutuar në lidhje me projektligjet e qeverisë për paketën “anti-shpifje”. Gjatë mbledhjes është ezaruaruar një nga pikat e hartuara nga vetë maxhoranca. Bëhet fjalë për gjobën që Autoritetit të Medias Audiovizive ka të drejtë t’u vendosë portaleve online.
Nga 10 milionë lekë të vjetra, mësohet se çmimi tavan tashmë është ulur në vlerën e 4 milionë lekëve të vjetra.
Mbledhja është shoqëruar edhe me debate, ku dy prej deputetëve të Partisë Socialiste kanë dalë hapur kundër kësaj pakete. Fidel Ylli dhe Musa Ulqini kanë parashtruar tezat e tyre, teksa shprehen se nuk është e drejtë hapësira që po i jepet AMA-s dhe se çdo gazetar ka të drejtë të shkojë në një gjykatë për të ankimuar vendimin.
Sipas dy deputetëve, fakti që gazetari apo një media e caktuar është e detyruar të paguajë gjobën apo masën e marrë nga AMA, para se të marrë një vendim gjykate, është e padrejtë.
Ditën e sotme, Komisioni i Ligjeve ka miratuar në parim projekt-ligjet që janë pjesë e paketës Anti-shpifje. Kjo paketë, e kundërshtuar nga komuniteti i gazetarëve shqiptarë dhe një sërë organizatash të rëndësishme ndërkombëtare që mbrojnë fjalën e lirë, do të votohet më 19 dhjetor në Parlament. Paralelisht me këtë zhvillim, gazetarët kanë zhvilluar një takim me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.