Një familje shqiptare, dy djemtë dhe nëna e tyre nga Malësia e Madhe kanë ekzekutuar një polic malazez dhe në momentin e arrestimit kanë kundërshtuar me armë forcat policore.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së dielës, ndërsa disa orë më vonë, policia ka mundur të bjerë në gjurmët e shqiptarëve, duke i arrestuar. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me vrasësit e policit, një prej autorëve të arrestuar, ka mbetur i plagosur në dorë.

Sipas raportit të policisë malazeze, tre shtetas nga Shqipëria kanë vrarë me armë zjarri policin e Malit të Zi, Millutin Lekovic në zonën e quajtur Igalo, në afërsi të qytetit Herceg Novi. Mediat malazeze raportojnë se tre shtetasit shqiptarë, fillimisht janë ndaluar nga polici Lekovic, pikërisht rreth orës 14:00 të mëngjesit dhe nuk kanë pasur me vete dokumente identifikues.

Ata kanë deklaruar se janë nga Kosova. Në këto kushte, punonjësi i policisë i ka futur në makinë, me qëllim që t’i çojë në komisariat për të bërë identifikimin e tyre.

Në momentin që tre shtetasit shqiptarë janë ulur në pjesën e pasme të mjetit të policisë dhe gjatë shoqërimit të tyre në Komisariatin e Policisë së Herceg Novit, një prej tyre, i cili më vonë është identifikuar si shtetasi shqiptar Luan Hasanaj, ka nxjerrë nga një qese të cilën e mbante në dorë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në kokë 41-vjecarin Millutin Lekovic, i cili ka ndërruar jetë disa orë më vonë në spitalin e Risanit.

Pasi ka qëlluar efektivin që mësohet se është pjesë e policisë kufitare të Malit të Zi, Luan Hasanaj së bashku me Lulëzim Hasanaj dhe Nure Hasanaj janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre. Pas shumë orësh kontrolle, policia ka mundur të bjerë në gjurmët e të arratisurve.

Ata janë arrestuar pas një shkëmbimi zjarri me policinë malazeze, ndërsa të tre po tentonin të kalonin në Kroaci në vendin e quajtur Fusha e Sutorinit. Gjithashtu mësohet se gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur në dorë edhe shtetasi Luan Hasanaj.

Nga të dhënat mësohet se shtetasi Luan Hasanaj është i kërkuar nga autoritetet shqiptare për “tentativë vrasje e kryer në bashkëpunim”. Tre shtetasit shqiptar janë arrestuar ditën e diel rreth orës 17:00, ndërsa ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në Igalo të Malit të Zi rreth 5 km larg kufirit kroat.