Zhvillimet e fundit në Shqipëri lidhur me tragjedinë e tërmetit, sigurisht që tërhoqën vëmendjen e mbarë Disporës shqiptare pa lënë mbrapa edhe opinionin ndërkombëtar. Kaosi, trishtimi dhe paniku mbërtheu gjithkënd duke sjellë nëpër mend çdo pjesëtar familjeje që jeton në Shqipëri. Pasojat që la pas tragjedia e 26 nëntorit, mobilizoi anekënd botës komunitetin shqiptar për t’u sensibilizuar me situatën në vendlindje. Ndihmat u mblodhën në forma nga më të ndryshmet për të treguar edhe përkrahjen ndaj të prekurve të tërmetit. Me ngrumbullimin e rrënojave, nxjerjen e viktimave apo të të plagosurve, nxorën krye edhe mjaft problematika të tjera të aktualitetit të cilat do të vënë në pikëpyetje ekonominë dhe stabilitetin atje.

Oli Pero

Bashkë më familjen e saj, Oli ka emigruar në Kanada pothuaj tre vite me parë duke realizuar një nga dëshirat saj të fëmijërisë. Me një karvan peripecish dhe sakrificash, për të nuk ka qenë fare e lehtë të kërkonte rrugën e integrimit në tregun kanadez apo edhe përshtatjen me jetën e re. Me ulje-ngritje të vazhdueshme, Oli ka pranuar ta përballojë fatin duke patur mjaft besim në forcat e saj. Natyrë e qeshur, mjaft e komunikueshme dhe e qartë në kërkesat ndaj vetes, vajza nga Shkodra i ka vënë disa afate edhe pritshmërisë së jetës në Kanada.

Vetem dy ditë pas ngjarjes së tërmetit në Shqipëri, Oli Pero bëri xhiron e rrjetit me një video sensibilizimi ndaj komunitetit shqiptar për t’iu bashkëngjitur thirrjes së institucionit ku ajo punon (Kryqi i Kuq Kanadez) në ndihmë të të prekurve nga tragjedia. E rritur me një jetë intensive, Oli na tregon se veç familjes, në vendlindjen e saj në Shkodër, ajo ka lënë pas edhe një qendër strehimi për kafshët endacakë. Me një dashuri të jashtëzakonshme ndaj tyre, Oli i ka kushtuar të gjithë kohën e saj të lirë prej 7 vitesh duke ngritur edhe kulturën e një pune më bazë vullnetare.
Në këtë intervistë për Albanian Montreal Press, ajo vjen për të na treguar më shumë për jetën e saj të re.

Oli, si ka ndryshuar jeta jote me ardhjen në Kanada?

Unë së bashku me familjen time jetoj në Montreal prej vitit 2017. Fillimet kanë qenë shumë të vështira (si gjithkush) dhe mendoj se ende jam në kërkim të mundësive të mia këtu. Të jesh nënë, të kërkosh veten, të duash të dish se ku po jeton e mjaft të tjera si këto, e bëjnë akoma më të komplikuar këtë fazë të jetës por besoj se pas kaq kohësh ketu, tashmë jam më e qartë në objektivat e mia. Me anë të një agjensie punësimi, fitova një pozicion pune tek Kryqi i Kuq i Kanadasë. Në një hark kohor pre dy vitesh ndryshova disa pozicione derisa arrita të fitoj statusin permanent në punë. Sot jam pjesë e Menaxhimit të Emergjencave nga ku kam mësuar edhe me tëpër të vlerësoj situatat e emergjencës.

Kush e inicioi idenë për të mbështetur shtetin shqiptar në rrethanat që u ndodh ?

Prej momentit kur mësuam se ndodhi tërmeti, besoj se ka qenë një natë e gjatë për të gjithë. Me kalimin e orëve kur edhe situata filloi të kuptohej se sa e rëndë ishte, tek ne paniku ishte më i madh. Mbaj mend që e kam ndarë më të gjithë kolegët e mi shqetësimin dhe më pas u krijua ideja për mbështetjen e situatës së emergjencës. Edhe kjo nuk ishte e kollajt pasi ka një hirearki për ta finalizuar. Zyra e filantropisë pranë Kryqit të Kuq të Kanadasë në bashkëpunim me Ambadasën shqiptare në Ottaëa projektuan nismën për mbledhjen e fondeve, paratë do t’i kalohen Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, e cila do bashkëpunojë me Kryqin e Kuq Shqiptar për kanalizimin e ndihmës sëmbledhur. Stafi dhe drejtuesit e institucioit e panë të arsyeshme që me anë të një videoje të ftoja qytetarët shqiptarë për t’iu bashkuar nismës.

Videoja u realizua në tri gjuhë (shqip, anglisht e frengjisht) dhe rezultoi me shikueshmëri të lartë. Do të doja të theksoja se nëse do të ishte e mundur, ai buxhet të shpenzohej për kulturën e munguar të mbrojtjes së sigurisë civile e cila duhet të jetë në fokus. Gjatë procesit të krijimit të fondit, meraku im nuk ishte se me çfarë duhet të ndihmohej vendi im, por ishte me rëndësi të njihej shkalla e krizës që po kalonte Shqipëria.

Cila është eksperienca juaj me emergjencat civile në Quebec?

Në këto dy vitë pune pranë Kryqit të Kuq të Kanadasë kam ndjekur nga afër disa operacione. Ka patur përmbytje në vitin 2017 pranë zonave të Gatineau, Rigaud, Pierrefonds,Laval, përfshirë këtu edhe tornado e vitit 2018 në Gatineau, ku kjo zonë vitet e fundit është goditur disa herë nga katastrofat. Këtë vit gjithashtu lamë pas përmbytjet pranverore në Montreal. Roli im me tëpër ka qenë këshilltare e programit « Partenaires dans l’action” që konsiston në rekrutimin, trajnimin dhe mobilizimin e punonjësve të kompanive të mëdhaja që bëhen vullnetarë për Kryqin e Kuq.

Çfarë të bën ta kthesh kokën pas në Shqipëri dhe në Shkodër?

Prej kur jam larguar nga Shkodra, me familjen time ka patur ngjarje të ndryshme që më kanë bërë të rikthehem herë pas here. Humbja e babait nuk ishte e lehtë, ndaj edhe takimet me nënën dhe miqtë atje i kam pas si një domosdoshmëri. Në Shkodër kam lënë ëndrrat e jetës sime, kontributin dhe gjithë pasionin që i kam kushtuar hapjes së një qendre për mbrotjejn e kafshëve të braktisura. Prej 7 vitesh, në Shkodër ekziston një stehë për kafshët endacake me një staf minimal vullnetarësh prej 10 vetash. Kam patur mbështetjen e herepashershme të Bashkisë së qytetit për konkludimin e disa projekteve për sterilizimin, adoptimin apo edhe strehimin e rreth 70 qenve. Nuk e di nëse ka patur diçka në jetën time që mund ta kem bërë me gjithë dëshirën dhe dashurinë time. Nuk do të doja kurrë t’i tradhëtoja ato kafshë të braktisura.

Nëse Kanadaja ka qenë një projekt për një përpjekje jetese më tëmirë dhe rritje profesionale, Shqipëria mbetet destinacioni final për të jetuar.

Albanian Montreal Press