“BalkanWeb” siguron dosjen e plotë të prokurorisë për hetimet pas tërmetit të 26 nëntorit që shkaktoi 25 viktima në Durrës. Policia ka arrestuar 9 persona, ndërtues, zyrtarë e ish-zyrtarë si dhe ka shpallur në kërkim 8 të tjerë.
Sa i përket pallatit 6 katësh të shembur në rrugën “Bashkimi” në Durrës në lagjen nr.6, ku humbën jetën dy shtetaset Hatije Rexhepi dhe Xhulieta Gjana, përgjegjës sipas prokurorisë është pronari i lokalit të njohur Baron’s Artur Terziu.
Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb”, objekti pra pallati 1032 është rrëzuar si pasojë e punimeve në katin e parë pasi dhe vetë shtetasi Artur Terziu pranon të ketë hequr mure kryesore mbajtëse dhe duke i zëvendësuar ato me vetrata xhami.
Në vitin 2015 Artur Terziu është detyruar me dokument nga IKMT t’i ndërpresë punimet por me gjithë referimin për ndjekje penale ai ka vijuar. Terziu e ka blerë apartamentin dhe e ka deklaruar si të tillë, më pas i ka prishur kolonat dhe e ka bërë me vetratë xhami.
Ndërkohë që figuron se ish-kreu i ALUIZNI-t Flamur Gjuzi, i cili është shpallur në kërkim e ka legalizuar në të njëjtën ditë që ka kërkuar informacion tek IKMT. Pra, duke bërë një legalizim fiktiv.
Prokuroria ka marrë të gjitha provat dhe dokumentacionin e lokalit dhe jo vetëm por edhe nga banorët e tjerë si dhe praktikat e ndjekura për legalizimin e tij.
Sipas hetimeve të Prokurorisë në këtë pallat të ndërtuar në vitin 1988-1989, para 4 vitesh struktura e katit të parë ka pësuar ndryshime si pasojë e ndërtimit të lokal Barons.
“Duke analizuar të dhënat rezulton se objekti pallati 1032 është rrëzuar si pasojë e punimeve në katin e parë pasi dhe vetë shtetasi Artur Terziu pranon të ketë hequr mure kryesore mbajtëse dhe duke i zëvendësuar ato me vetrata xhami. Ai ka marrë leje për rregullimin e shtëpisë dhe njëkohësisht e ka kthyer ambientin e apartamentit në njësi shërbimi (lokali) duke shtuar dhe futur si shtesë edhe 26m2 të ambienteve publike. Ky arsyetim bazohet në faktin se pallati është shembur vertikalisht në dy katet e parë në të cilat është cenuar qëndrueshmëria si pasojë e heqjeve të mureve mbajtëse për rregullimin e këtij lokali, ku nga tërmeti i datës 26.11.2019 është shembur dy katet e para dhe pjesa e shkalleve për pasojë ka sjelle vdekjen e shtetasve Hatije Rexhepi dhe Xhulieta Gjana”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Prokuroria bën përgjegjës për veprimet ose mosveprimet e tyre shtetasit:
Klajdi Lame për shpërdorim detyre pasi në cilësinë e Inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës që sipas akuzës nuk ka ndjekur dhe konstatuar punimet për ndërtimin e paligjshëm të kryera nga shtetasi Artur Terziu, i cili më parë kishte marrë një autorizim të datës 18.08.2014, për të kryer punime mirëmbajtje të apartamentit; Albrend Qetka për shpërdorim detyre pasi si njeri prej personave që kryen funksione publike, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin nr.9482 date 03.04.2016 i ndryshuar “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” duke kryer legalizimin dhe regjistrimin e objekteve pa i plotësuar kushtet tekniko ligjore të tij, duke sjellë pasoja në jetët e njerëzve.
Sipas prokurorisë, ekzistojnë dyshime të bazuara se nga ana e shtetasit Albrend Qetka, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, ka kryer veprime për të legalizuar më datë 17.05.2016 objektin në kundërshtim me ligjin’.
Dëfrim Celami në cilësinë e specialistit që ka kryer aktin e ekspertimit teknik, dyshohet se ka kryer elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal. Ai ka sqaruar se, nuk ka dijeni se si është lidhur me shtetasin Artur Terziu por mban mend se kishte bërë diçka të vogël, pikërisht një akt ekspertimi për punimet të bërë nga ana e tyre dhe e nënshkruar nga ana e tij si ekspert teknik. Për ketë ai mban mend se ka ardhur në Durrës pasi e kanë sjellë po te lokali ku ishte dhe ka marrë disa të dhëna me shkrim dhe më pas është larguar nga aty dhe ka bërë ketë akt ekspertimi dhe pas disa ditësh ka takuar dikë në Tiranë dhe ia ka dhënë aktin. Për këtë shërbim ai sqaron se nuk ka marrë asnjë lek.