Pas tërmetit të 26 nëntorit, në Shqipëri, fillojnë projektet e diskutimet për rindërtimin e zonave të dëmtuara. Ndërkaq, vazhdon mbledhja e fondeve, në të cilën janë përfshirë edhe shqiptarët e diasporës, kudo ndodhen. Vazhdojnë gjithashtu, nismat e solidaritetit e të lutjes për viktimat.
Pikërisht sot, në Romë, në orën 16.00, në Kishën e shën Gjonit të Malvës, qendër e bashkësisë katolike shqiptare në kryeqytetin italian, kardinali shqiptar Ernest Simoni kremtoi meshën për shpirtin e viktimave të tërmetit të 26 nëntorit. I ftuar nga e ngarkuara me punë e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, znj. Majlinda Dodaj, dhe nga don Pasquale Ferrara, rektori i kishës në Trastevere, kardinali pati fjalë ngushëllimi e shprese për gjithë të pranishmit, por sidomos për popullsinë e zonave të Durrësit, Tiranës, Laçit e Lezhës, më të prekurat nga tërmeti. Bashkekremtuan dom Mark Pashkja e diakoni dom Pashk Ndoj.
Koncert në teatrin “Quirino”
Ndërkaq, dje, një nismë tjetër sensibilizoi edhe publikun italian për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet aktualisht Shqipëria. Në orën 21.00, në teatrin “Quirino” të Romës, me patronazhin e Ambasadës së Shqipërisë në Itali, violinistja Anyla Kraja paraqiti shfaqjen e saj, ku përfshiheshin artistë të tjerë shqiptarë e italianë, që ekzekutuan pjesë klasike në piano e violinë, shoqëruar nga koreografitë e “Astra Roma Ballet” dhe nga fjala e aktorëve. Shfaqja e titulluar “Thesaret e zemrës” dëshironte të ishte një lutje për Shqipërinë që ajo të rimëkëmbet edhe më e bukur pas tërmetit. Në skenë, përveç violinistes shqiptare Anyla Kraja, edhe pianistët Fausto di Cesare e Barbara Brandani, aktorët Alen Xhafa dhe Livio Beshir, si edhe balerinët e “Astra Roma Balet” në pjesë të koreografuara nga Diana Ferrara. Gjithçka, nën regjinë e Angela Ceruti-t.