Shemsi Prençi, ish-drejtor i Emergjencave Civile në qeverinë Rama, ish-drejtor i Policisë së Dibrës në qeverinë Berisha, është emëruar këtë të premte si Këshilltar i Presidentit Meta për emergjencat civile.

Por para se të vijmë sot, Shemsi Prençi edhe pse vetë nuk ka pasur post politik është përfshirë tërthorazi në politikën shqiptare, duke mbështetur herë njërën palë dhe herë tjetrën.

Ai ka mbajtur post të lartë drejtues në polici, duke qenë edhe drejtues i Policisë së Dibrës, ku dha edhe dorëheqjen duke akuzuar ish-kryeministrin Berisha si të inkriminuar. Në këtë periudhë ai doli hapur në mbështetje të Ramës, duke marrë pjesë edhe në disa protesta të organizuar nga PS kur ishte në opozitë.

Pas rotacionit politik në 2013-ën, Rama e shpërbleu për mbështetjen duke e emëruar edhe Drejtor të Emergjencave Civile, post që e mbajti deri në qershor të 2018-s.

Prençi nuk e priti mirë vendimin, duke e cilësuar si të padrejtë, çka solli edhe shkëputjen e tij nga Rama dhe Partia Socialiste.

“Të drejtën” ai e gjeti sërish tek opozita, këtë herë tek PD, duke marrë pjesë edhe tek protestat e organizuara nga Basha, e ku është fotografuar edhe me dy gishtat lart dhe me pankarta anti-Rama përballë kryeministrisë.

E pasi fushata e protestave të opozitës ka përfunduar dhe me tërmetin e 26 nëntorit, ai e pa veten si i ftuar në një sërë ekranesh televizive, ku nuk i kurseu aspak kritikat se si po trajtohet Gjendja e Emergjencës nga qeveria dhe si shteti shqiptar nuk ka mjetet e nevojshme për të përballuar situatën, duke “harruar” se atë institucion ai e ka drejtuar për disa vite.

E kritikat e tij prej “eksperti” për përballimin e situatës, duket se e kanë bindur themeluesin e LSI, Ilir Meta, që në cilësinë e Presidentit ta emërojë si këshilltar.

©Copyright Gazeta SHQIP