Një 31-vjeçar i dënuar me 35 vjet burg për vrasje është arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim për një vrasje të ndodhur më 22.03.2016, ku qëëloi për vdekje D. Ll. dhe plagosi B. Ll.

Policia bën të ditur se: “Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, strukturat e D.V.P. Gjirokastër, në bashkëpunim me forcat speciale “Renea” kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Subashi”, si rezultat i të cilit në fshatin Shtëpëz, Gjirokastër, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i personit të shpallur në kërkim për vrasje, konkretisht: Endrik Lluka,31 vjeç, banues në fshatin Shtëpëz, Gjirokastër.

Gjatë operacionit për kapjen e Endrik Llukës, forcat “Renea” kanë ushtruar kontroll në banesën e babait të tij, Bexhet Lluka, 57 vjeç. Gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri snajper, dylbi dhe fishekë luftarakë.

Në përfundim të veprimeve të para u bë arrestimi në flagrancë edhe i shtetasit Bexhet Lluka, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për hetime të mëtejshme.