Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë lëvizur nga pozicionet që patën, si kushte për të arritur deri në marrëveshje për koalicionin.
Takimi i djeshëm mes Albin Kurtit e Isa Mustafës, nuk solli asnjë rezultat të ri, përveç se dy liderët përsëritën kushtet përkatëse.
Një pauzë një javore që patën nga takimet, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk solli reflektim te asnjëra palë, sa i përket qëndrimeve për koalicionin.
Menjëherë pasi u kthye nga Gjermania, aty ku qëndroi për vizitë disa ditë, lideri i VV-së, Albin Kurti thirri në takim të parin e LDK-së, Isa Mustafën. Pas një takimi një orësh, marrëveshja nuk u arrit as të mërkurën.
Ajo se çka u tha brenda takimit, siç merret vesh është se VV nuk ka ndërruar qëndrim sa i përket pozitës së presidentit që do ta pasojë Hashim Thaçin, derisa LDK insiston që kjo pozitë ju takon atyre. Kurti e Mustafa zgjodhën që për mosmarrëveshjet kësaj radhe të mos flasin para mediave, aty ku pak minuta pas përfundimit të takimit doli zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.
As zëdhënësi i LDK-së, nuk tha shumë për takimin. Ai shkurtimisht u shpreh se dy liderët janë pajtuar vetëm për t’u takuar përsëri.
“Takimi në mes dy liderëve ka përfunduar, të dy liderët janë pajtuar që të intensifikojnë takimet në ditët në vijim deri në arritjen e marrëveshjes”, tha shkurtimisht ai.
Për takimin, folën edhe nga VV-ja përmes një komunikate të shkurtër drejtuar mediave.
“Kryetari Kurti u takua sot në Kuvendin e Kosovës me kryetarin Mustafa. Ata do t’i vazhdojnë dhe intensifikojnë takimet pothuajse për çdo ditë deri në arritjen e marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e VV-së.