Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjeve të qeverisë, propozoi një nismë, për të bërë sigurimin e detyrueshëm të shtëpive nga tërmeti.


Në draftin konfidencial të zbardhur nga “Top Channel”, thuhet se tarifa e sigurimit do të jetë 25 euro në vit për ndërtimet me beton të armuar, dhe 15 euro për ndërtime e tjera.


Të vetmet banesa që do të përjashtohen nga tarifa e sigurimit janë ato të ndërtuara me argjilë apo që kanë strukturë me fibër kallami.


Në rast se banesa dëmtohet, qytetarët do të përfitojnë 25 mijë euro për ndërtesa me beton të armuar, 15 mijë euro për ndërtimet e tjera.
Mbi këto shuma do të aplikohet një zbritje 2% që qytetari duhet ta përballojë nga xhepi i tij.


Sigurimi përfshin vetëm dëmtimet nga tërmeti, por jo ato nga zjarri apo përmbytjet.


Sipas draftit, qeveria do të ngrejë një agjenci të posaçme, të quajtur Agjencia Shtetërore për Sigurimin e Detyrueshëm, e cila do të arkëtojë tarifat e sigurimit të banesave nga qytetarët dhe do të menaxhojë fondin e dëmshpërblimeve.