Me një karrierë të shkëlqyer, me pasuri të pakontestuar, njohës i katër gjuhëve të huaja dhe i trajnuar në disa vende të BE dhe SHBA; kryeprokurori i ri i Shqipërisë, Olsian Çela pritet të sjellë një impuls të ri në punën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Olsian Çela është zgjedhur kryeprokurori i ri i Shqipërisë, për një mandat 7 vjeçar, pa të drejtë rikandidimi.
Pasi mori ‘bekimin’ e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke u rënditur i pari në listën me 4 kandidatë, Çela shkoi superior para Kuvendit, ku mori edhe votëbesimin e 101 deputetëve.
Kush është Olsian Çela?
Premtimi i parë
Olsian Çela e nisi detyrën me fokusin tek situata emergjente që po kalon vendi, ku premtimi i tij i parë ishtë zbardhja e të vërtetës së banesave të shembura nga tërmeti.
Në bazë të hetimeve të nisura nga prokuroria, në thellimin e tragjedisë me 52 viktima, përveç tërmetit, fajtorë janë edhe ndërtuesit dhe zyrtarët.
“Ka njerëz që kanë shkelur ligjin dhe shumë kanë humbur jetën. Përgjegjësia do të shkojë atje ku është, qoftë tek ndërtuesi qoftë tek zyrtari. Nuk do ketë hezitim për asnjë rast.”, tha ai nga Durrësi të shtunën, pasi inspektoi banesat e shembura.
Prokurori i dosjeve të nxehta
Olsian Çela njihet si prokurori i “dosjeve të forta”. Ai ka hetuar disa nga çështjet më të bujshme dhe ka çuar prapa hekurave disa figura të njohura.
Olsian Çela e nisi karrierën në vitin 2001, ku ushtroi detyrën e prokurorit në institucionin e akuzës në Tiranë. Në 2004, u emërua prokuror tek Krimet e Rënda, institucion që e drejtoi për një periudhë katër vjeçare.
Gjatë drejtimit të Krimeve të Rënda, Olsian Çela ‘çarmatosi’ disa nga grupet e forta kriminale që operonin në Shqipëri.
Një prej dosjeve më të bujshme është ajo e njohur si ‘Xibraka’, ku la në burg nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxhën dhe tetë anëtarët e tjerë të skuadrës së kokainës.
Ai ka hetuar grabitjen në aeroportin e Rinasit në 2016, ku me firmën e tij në kërkim ndërkombëtar është Aleks Pepa. Më herët, ai hetoi për masakrën e Kartodromit apo grupin e Niklës.
Prokurori Olsian Çela ka pasur nën hetim edhe Emiljano Shullazin, çështje për të cilën u përplas edhe me drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda në vitin 2017, Donika Prelën.
Karriera e shkëlqyer
Prej disa vitesh, Olsian Çela është anëtar bordi në shkollën e magjistraturës dhe pedagog në dy universitete.
Olsian Çela është pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Përgjatë viteve ka është trajnuar në disa vende të Bashkimit Europian dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar.
Pasuria e pakontesuar dhe modeste
Në vitin 2003 Prokurori i Përgjithshëm ka pasur një pronësi një apartamenti 2+1, i cili është i ndërtuar para viteve ’90, të cilën e ka shitur më 2015. Këtë apartament ai e ka shitur më për 66 mijë euro dhe ka blerë një tjetër apartament me sipërfaqe 77.8 metra katrorë me vlerë 78 500 euro.
Këtë pronë ai e bleu nga të ardhurat e sigurara nga shitja e apartamentit të parë si dhe nga një depozitë kursimesh në bankë. Po kështu Çela ka pasur edhe një autoveturë “Benz 190”, të cilën e ka shitur më vonë për 2 milionë lekë të vjetra.
Aktualisht, kryeprokurori i ri, i mbulon shpenzimet vetëm me të ardhurat nga paga dhe trajnimet. Sipas dokumenteve që Çela ka firmosur në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Intesave (ILDKPI), rezulton se shuma e të ardhurave nga rroga dhe shpërblime është 1 610 423 (një milion e gjashtëqind e dhjetë mijë e katërqind e njëzet e tre lekë.) Ndërkaq, të ardhurat si ekspert trajnues në shkollën e Magjistraturës janë 71 125 lekë. Deklarimet janë publikuar nga Open Data Albania.
Vizioni i Prokurorit dhe drejtësia për të dobtit
Në intervistimin për më shumë se 60 minuta përballë KLP-së, më 13 nëntor, Olsian Çela ka kritikuar drejtësinë. Sipas tij, ajo ka qenë e ashpër me shtresat e dobëta duke krijuar probleme të rënda sociale.
“Duke thelluar problemet sociale ne përgatisim breza të rinj që janë në rrugë sot dhe nuk kanë të ardhme dhe që nesër janë fidanishte të krimit”, ka thënë prokurori Çela.
Hetimi dhe çuarja përpara drejtësisë e të fortëve, ndëshkimi i ‘ndërtuesve vrasës’, hetimi i korrupsionit në qeveri, mbrojtja e të dobtvë, këto janë pritshmëritë e publikut për Olsian Çelën.