Gazetarja e abcnews në Prishtinë Blerta Dalloshi Berisha, raportoi në një mënyrë krejt të pazakontë mëngjesin e sotëm. Ndërsa flitej për nismën “Dhuro një lodër edhe ti”, e cila në fokus ka fëmijët e prekur nga termeti dhe krijimin e mundësive për t’iu dhuruar atyre për festat e fundvitit një lodër, qoftë edhe simbolike, Blertës i zgjohet e bija 5 vjeçare nga gjumi. Hana, nuk heziton dhe pak çaste me vonë i bashkohet mamit të saj në “raportim” live.
Vogëlushja, e cila një natë më parë kishte patur temperaturë, qartazi nuk ia “ka ngenë” raportimit të mamit, por do veç përkujdesin e saj për të nisur ditën…
Prania e Hanës, sidomos kur flitej për nismën “Dhuro një lodër edhe ti”, ka sjellë jo pak buzëqeshje ne studio dhe ishte si një “fllad” për emisionin e mëngjesit, ku më së shumti shfaqen vetëm të rritur.
Paralelisht me nismën në Tiranë “Dhuro një lodër edhe ti”, në Prishtinë mësueset e kopshtit të Hanës kishin nisur personalisht një organizim për blerjen e dhuratave për fëmijët e prekur nga termeti. Emisioni “ABC e mëngjesit” ishte si “shkesi” që i bashkoi sot këto dy nisma paralele.