Një nga të nderuarit pasditen e djeshme si “Volejbollist i shekullit” për SK Vllaznia ka qenë edhe Luigjino (Gjino) Mjeda. Ai është një nga emrat e shquar jo vetëm të ekipit shkodran por edhe të volejbollit shqiptar të viteve ’80 dhe padyshim që e meritonte një vlerësim të tillë.

Bashkia Shkodër dhe SK Vllaznia bënë detyrën duke e nderuar këtë figurë të shquar, megjithatë vetë Mjeda është shumë i lumtur për nderimin e bërë dhe në prononcimin e tij për mediat është shprehur:

“është një kënaqësi e veçantë për mua për këtë titull që mora së fundmi, sepse është një jetë e tërë që jemi marrë me volejbollin. Në fakt ndihem shumë i vlerësuar dhe kam qejf për të kujtuar vetëm trajnerët e mi, që janë shumë.

Duke filluar nga Zekë Doça, i cili ma dha të nisjen e volejbollit duke qenë i pari që më çoi në pallatin e sportit e më pas, të gjithë me rradhë Mark Grimci, Ali Bushati, Tonin Fistani, Sandër Paloka, janë shumë trajnera dhe ndihem i vlerësuar që kam punuar e ta në fakt”- ka thënë ai.

Pak muaj më parë, Luigjino Mjedës iu dha edhe titulli “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës dhe tashmë edhe “Sportist i Shekullit”. I pyetur në lidhje me këto dy tituj brenda pak muajsh, Gjino shton: “Ndihem i vlerësuar shumë, falenderoj të gjithë që më kanë propozuar”.

© shkodrasport.com