Të mbledhësh rastësisht 12 vajza e gra dhe t’i vësh të luajnë futboll, duket një çmenduri. Nuk mund ta bësh as në Tiranën e civilizuar, as në Shkodrën djep të kulturës.
Ka ndodhur 14 vjet më parë në një fshat pranë këtij qyteti. Meritë e jashtëzakonshme e një njeriu i cili përveç profesionit të tij të mjekësisë, ka patur një pasion të jashtëzakonshëm edhe për sportin.
Pikërisht e Ferdinand Jakut i cili me krijimin e “Juban Danjes” 13 vite më parë shkroi historinë e futbollit të femrave në Shqipëri.
Të mos harrojmë se ai ishte vetëm 37 vjeç në atë periudhë por me një vizion të qartë për atë se çfarë po bënte. Mbledhja e vajzave dhe grave të Jubanit më 6 shtator 2005 dhe zhvillimi i të parës ndeshje zyrtare në mes tyre, do të rregjistrohej më pas si momenti i lindjes së këtij futbolli në vendin tonë.
Jaku do të ishte shumë i kujdesshëm për të ruajtur çdo detaj të këtij momenti historik. Fotoja e këtij shkrimi tregon protagonistet e asaj dite (bashkë me trajnerin Marin Jaku), ka edhe video të asaj ndeshje dhe kjo ka bërë që kjo datë të mos mundet të ndryshojë.
Historinë tashmë e kanë shkruar. E rëndësishme është që ta çojnë edhe më përpara .