Prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini po përballet këtë të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Anton Martini, Prokurori i Krimeve të Rënda, kandidat për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, këtë të martë po përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta bën me dije se ILDKPI ka sjellë raport pozitiv ndaj Martinit. Në këtë raport thuhet se Anton Martini nuk ka probleme me pasurinë, ai nuk ka fshehje pasurie apo konflikt interesi.

Ndërkohë gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno ka zbardhur edhe fjalën e Martinit para trupës gjykuese.

“Jam transferuar ne Shkodër me një vendim të paligjshëm. Nga gjithë puna ime kam vetëm një shtëpi dhe një garazh, që ende se kam marrë me letra. E kam marrë shtëpinë me dy kredi, pasi nuk doja te bëhesha i pasur por të blija një shtëpi në një zonë që ishte në influencën e policisë. Unë jam një prokuror që kam marrë shume kërcënime dhe sot e kësaj dite jam në ruajtje nga policia. Ju kam dorëzuar vendimet e ruajtjes. Me qira kam qëndruar pranë komisariatit nr.2 në Tiranë, vetëm për faktin që të kem garanci për sigurinë dhe familjen time.” mësohet të ketë thënë Martini.

Procesi i vetingut për Martinin po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja. Prokurori Anton Martini është renditur i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Për të marrë emërimin në SPAK, atij i duhet të kalojë si barrierë të fundit procesin e vetingut në të dy shkallët.

Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004. Në vitin 2015, Martini u transferua në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës, vendim të cilin ai e kontestoi për parregullsi. Në qershor 2018, Martini u rikthye në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.