Nga Elkier Bushkolaj

Post tërmeti, “LISTA E TURPIT” dhe eunukëria e Shtetit Shqiptar!

Tërmeti i 26 nëntorit që la pas 51 vdekur,qindra të plagosur dhe dhjetëra familje të pastreha po rezulton të jetë KÇK-ja e fundit për qeverinë dhe disa monstra njerëzore, pronarë apartamentesh, shumica të blerë me para të krimit, që po rrisin në mënyrë abuzive çmimet e qirave.

Ata po përfitojnë nga fakti se me dhjetëra qytetarë në Durrës, Kurbin, Thumanë e Tiranë kanë mbetur të pastrehë dhe po kërkojnë një apartament me qira siç ndodh në çdo vend të botës pas një fatkeqësie të këtyre përmasave.

Një apartament me qira në zonat periferike të Shkozës, Alliasit, Kombinatit e Paskuqanit në Kryeqytet shkon deri në 230 euro sipas agjensive imobilare.

Ndërkohë në zonën e Astrit, një ndër më të preferuarat nga të rinjtë dhe shtresa e mesme një apartament me qira shkon nga 250 deri ne 350 euro ne muaj.

Më afër qendrës për të marrë një apartament me qira duhet të përballesh me një faturë deri në 550 euro në muaj. Këto shifra agjensitë imobilare i’a kanë vënë në dispozicion Bashkisë së Tiranës, ndërsa në realitet janë 10% deri në 20 % më të larta.

Kjo listë çmimesh është realiteti i solidaritetit të shqiptarëve në këto ditë të vështira për kombin dhe jo shfaqjet e pështira në ERTV apo facebook të disa individëve që dhurojnë ushqim me nga 5 kamera vërdallë apo politikanëve që kanë nga 4 ose 5 banesa që nuk strehuan qoftë edhe një familje të prekur nga tërmeti.

Kjo listë turpi dhe mosndëshkueshmëria e saj është shkaku kryesor se emigrimi është rikthyer si në vitet 1990 dhe çdo vit rreth 15% e popullsisë së vendit aplikon për lotarinë amerikane.

Kjo “listë gjobash” është në vendin ku paga minimale është ende 26 mijë lekë dhe paratë e krimit janë pastruar të gjitha në sektorin e ndërtimit.

Kjo makutëri vjen edhe për faktin se ky shtet i pakëllqe që jep miliona euro për një grup oligarkësh refuzon të ndërhyjë dhe për të vendosur një çmim tavan për këta palo tregtarë, që prej vitesh veprojnë në informalitet të plotë, duke përfituar miliona lekë dhe duke mos derdhur asnjë kacidhe në arkën e shtetit.

Është ky shtet që të burgos për një faturë energjie të papaguar por të lejon që ushtrosh për vite me radhë një aktivitet fitimprurës si qiradhënia pa paguar asnjë taksë, mjafton në “kafe” inspektorit të zonës.

Është kjo dreq qeverie që e lë popullin e saj pas një fatkeqësie në mëshirën e bamirësve si Elvis Naçi e Arbër Hajdari, për të cilët ka jo pak hije dyshimi për fondet e siguruara, e të mos habitemi kur në mes të komplekseve të dhuruara nga Turqia të kemi ndonjë xhami në mes të Laçit,madje përballë kishës së Shna -Ndout.

Kur dëgjon kryeministrin tonë ortodoks, të pagëzuar katolik që citon kuranin për ndihma nga Turqia dhe vendet e lindjes dhe që për asnjë moment nuk mendoi të anulonte koncesionet miliona euroshe të vjen keq për veten që ende nuk e ke valixhen gati për tu arratisur nga ky vend.

Ç’organizimi i organizuar për menaxhimin e kësaj fatkeqësie nuk mbulohet me shfaqjet e neveritshme të kryeministrit të vendit në të gjitha ekranet që herë sillet si yll i telenovelave turke e herë si diktator i vendeve të Amerikës Latine.

Në jo pak raste luan dhe rolin e shenjtorit dhe babagjyshit te vitit te ri, ku për imazhin e tij mediatik nuk kursehet të përdorë as fëmijë që kanë humbur gjithçka në jetë dhe i trajton si njerëz të botës së tretë.

Zot ndale dorën se ky popull është në mëshirë të maskarenjve !