Ekstradohet nga Danimarka drejt vendit tonë, një 46 vjeçar grek, për të cilin Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën “Arrest me burg” në mungesë për disa vepra penale, si “krijim i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar kryer në bashkëpunim”, “fshehje e të ardhurave“, “mospagim i taksave dhe tatimeve” dhe “falsifikim i dokumenteve”. Bëhet fjalë për Dimitrios Thomoglou, administrator i kompanisë “General Impex”, i cili nga mospagimi i taksave i shkaktoi miliona lekë dëme shtetit shqiptar.

Ndërkohë, në qershor të këtij viti, Policia e Shkodrës arrestoi bashkëpunëtorin e tij, 39-vjeçarin nga Tirana, Kreshnik Mustafaraj, pronar i një firme tregtimi të miellit, person ky i cili kishte blerë firmën tek greku. Kurse për noterin me inicialet GJ.K., të dyshuar si të përfshirë në këtë skemë mashtrimi, më herët është caktuar masa e pezullimit të ushtrimit të detyrës, si dhe “detyrim paraqitje” për Afrim Bicin, administrator i një tjetër subjekti që ka fshehur të ardhurat.

Nisur nga hetimet e bëra në harkun kohor prej tre muajsh, ka rezultuar se këta dy persona bënin regjistrim fiktiv të subjekteve tregtare duke krijuar skema mashtrimi me qëllim përfitimin e tatimit të vlerës së shtuar (TVSH) në formë rimbursimi, dhe duke mos paguar taksat dhe tatimet, i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik.

Kështu, nga hetimet ka rezultuar se subjekti General Impex nëpërmjet aktivitetit të tij i ka shkaktuar dëm ekonomik shtetit ne vlerën e rreth 250 milionë lekë nëpërmjet fshehjes së të ardhurave dhe 73 milionë lekë të reja nëpërmjet mospagimit të taksave dhe tatimeve. Ndërkohë, zyrtarisht policia shprehet se vlera e aseteve që u transferuan është 4 milion euro, ndërsa vlera e veprimtarisë ekonomike që u transferua është 1.9 milion euro.