Nehat Foljeta dhe Sehar Xhenje, dy shokët e Astmer Bilalit që ndodhet në burg si pjesë e grupit “Bajri”, janë dënuar me 2.6 vite burg secili për sulmin me thikë që kryen ndaj ish-trajnerit të Vllaznisë Ernest Gjoka. Treshja e gjyqtarëve Tonin Stërkaj, Arben Çela dhe Sokol Shehu, në vendimin e tyre përfundimtar kanë vendosur të ndryshojnë akuzën e ngritur nga prokuroria e Shkodrës për dy të pandehurit Foljeta dhe Xhenje, duke i dënuar ata për akuzën e “Goditjes për shkak të detyrës”.
Nga ana tjetër prokuroria e Shkodrës, gjatë pretencës së saj dhënë në gjykatë kërkoi deklarimin fajtor të dy të pandehurve dhe dënimin e Nehat Foljeta me 14 vite burgim ndërsa për Sehar Xhenje, organi i akuzës kërkoi dënimin me 12 vite burgim, për akuzën e “Vrasjes me dashje” në bashkëpunim mbetur në tentativë.
Por tjetër mendim kanë pasur avokatët e dy të akuzuarve, ku për Sehar Xhenjen, mbrojtja kërkoi që të deklarohej fajtor për akuzën e “Goditjes për shkak të detyrës” në dëm të Ernest Gjoka. Ndërsa avokati i Nehat Foljeta, i kërkoi gjykatës që të deklaronte fajtor klientin e tij jo për “Vrasje me dashje” të mbetur në tentativë por dënimin e tij për akuzën e “Vrasjes së kryer në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme” e mbetur në tentativë.
Në fund të gjykimit, treshja e gjyqtarëve pasi dëgjoi të dyja palët vendosi të shpallë fajtorë dy të pandehurit Nehat Foljeta dhe Sehar Xhenje, me nga 2.6 vite burgim secilin për akuzën e “Goditjes për shkak të detyrës”. Tashmë ky vendim është apeluar nga prokuroria e Shkodrës në gjykatë dhe pritet që në vijim, gjykata të marrë në shqyrtim kërkesën e akuzës për dënimin ose jo me 12 dhe 14 vite burgim dy të pandehurit e mësipërm.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 22 shkurt 2018, në orën 18:00 kur në Komisariatin e Policisë Shkodër është paraqitur Ernest Gjoka, me detyrë trajner i ekipit të futbollit “Vllaznia”, i cili ka bërë kallëzim në lidhje me një ngjarje të ndodhur pas seancës stërvitore të datës 22 shkurt 2018 të ekipit të “Vllaznisë, Shkodër. Në kallzimin e tij Gjoka ka shpjeguar se pasdite ka qënë në stërvitje me ekipin e “Vllaznisë” tek Fusha-Lekurave dhe pas mbarimit të stërvitjes ka dalë nga fusha dhe po bisedonte me kapitenin e ekipit, Gilman Likën. Gjatë bisedës që ata po bënin ndërmjet tyre i është afruar një person me kapele, i cili pa i folur fare e ka qëlluar fillimisht me grusht.
Pas këtij momenti Ernesti ka reaguar për vetëmbrojtje po personi që e goditi ka nxjerrë nga brezi një thikë, ku ka tentuar që ta godasë Ernest Gjoka. Ky i fundit është larguar duke marrë një biçikletë dhe e ka goditur. Pas kësaj goditje personi që kishte me vete thikën ka vazhduar që ta ndjekë, por Ernesti ka rrëshqitur e ka rënë dhe ai i është sulur me thikë në drejtim të Ernestit po ky i fundit e ka goditur me këmbë në gjoks dhe ai ka humbur ekuilibrin e është rrëzuar. Në këtë kohë në drejtim të Ernestit është afruar Gilman Lika, me dy persona të tjerë në drejtim të personit që kishte thikën, por ai duke parë këtë situate është ngritur dhe është larguar me vrap në rrugën kryesore.