Ishte viti 1907 kur konsulli i nderit i Suedisë në Shkodër, solli një biçikletë, por e pati mjaft të vështirë të pedalonte në Shkodër, sepse edhe vetë doganierët nuk e njihnin “atë soj hallati” siç e cilësonin asokohe. Por nëse asokohe pakkush e njihte biçikletën si mjet lëvizës, tanimë mund të thuhet se biçikleta është pjesë e pandarë e çdo familje shkodrane. Aq sa mund të thuhet se Shkodra lë pas dhe disa nga qytetet e Europës Perëndimore për frekuencën e përdorimit të biçikletës.
Nëse numri i biçikletave në Shkodër është rritur, sfida e pedalimit në këtë qytet ka mbetur thuajse e pandryshuar. Rrugët që kanë një korsi të dedikuar për dyrrotakët numërohen me gishtat e dorës. Ato janë vetëm dy: Parrucë-Xhabiej dhe Xhabiej-Perash deri tek shkolla e mesme pyjore “Kolë Margjini”. Madje edhe këto dy kursi nuk respektohen nga makinat. Janë të shpeshta rastet kur ato bllokohen nga automjetet e parkuara me orë të tëra, apo dhe nga kazanët e mbeturinave.
“Të ecësh me biçikletë është përherë e më e vështirë. Aksidentet që ndodhin janë të shumta për shkak se nuk respektohen rregullat e qarkullimit.” – tregon nje qytetar pedalues. Teksa një tjetër rrëfen se “është përplasur 2-3 herë nga makinat por për fat të mirë nuk ka pasur pasoja të rënda për shëndëtin”. Megjithatë ata vazhdojnë pedalojnë sepse biçikleta për ta është i vetmi mjet ekonomik që i mundëson një lëvizje më të shpejtë në qytet.