Në përzgjedhjet e bëra dhjetë vjet më parë u pat vlerësuar si volejbollistja e shekullit. Atëherë ishte 90 vjetori i Vllaznisë ndërkohë që me 100 vjetorin ka patur një tjetër vlerësim dhe po ashtu edhe këtë herë e ka marrë një përcaktim të tillë si njëra prej sportistëve më të mira në lojën e rrjetës në 100 vite histori.
Nora Deda është një emër shumë i njohur i cili u vlerësua dy ditë më parë nga Bashkia Shkodër dhe SK Vllaznia me titullin Mirënjohje. Në një prononcim të dhënë për mediat, ajo është shprehur:
Ndihem mjaft e vlerësuar me këtë çmim që mora, por dua të them se pjesë e këtij çmimi janë të gjitha vajzat e ekipit njësoj si unë, e në veçanti motra ime Mirela Deda që kontribuoi aq bukur, njësoj si unë, në sportin e volejbollit për ekipin e Vllaznisë e po ashtu edhe për ekipin kombëtar.
Nuk mund të lë pa përmend respektin e madh që kam për gjithë trajnerët e mi, për mësuesin tim të parë Viktor Jubanin, për trajnerin tim të parë Vehbi Sulejmanin dhe për prindin, edukatorin dhe trajnerin e shquar të Shkodrës Mark Grimcin.
Nora Deda është sërish pranë sportit por tashmë në rolin e pedagoges në Fakultetin e Edukimit Fizik pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Ajo thotë se nuk mund të qëndrojë larg sportit dhe këtë gjë do ta bëjë deri në fundin e jetës së saj.
Sot punoj në fushën akademike, vazhdoj shkollimin tim por gjëja më e mirë është që jam sërish në fushën e sportit, nuk jam nda nga sporti, jam në sport dhe gjithë jeta ime do të jetë vetëm sport- është shprehur ajo.