Shkaktari i 51 viktimave nga tërmeti është Edi Rama, deklaroi Monika Kryemadhi.

Në një intervistë televizive, numri 1 i LSI-së tha se ftesa e Edi Ramës për tu ulur në tryezë me opozitën u bë për të ndarë hallin e problematikës së mosfunksionimit të gjithë institucioneve gjatë situatës se jashtëzakonshme.

Ajo e akuzoi kreun e qeverisë se po bën propagandë dhe se këkon t’ja kalojë përgjegjësinë të tjerëve për dëmet e shkaktuara.

Zoti Rama kërkonte të ndante hallin me ne mbasi përdori viktimat për fasadë dhe për propagandë për veten e tij, mbasi përdori dhe fëmijët jetim për propagandë, për imazhin e tij. Tashmë kërkon që ndarjen e problematikës të mos funksionimin e të gjithë gjërave të tjera kërkon ta ndajë me opozitën. Por unë mendoj që historia e tërmetit të 26 nëntorit duhet të ketë përgjegjës, sepse nuk është fatkeqësia natyrore ajo që i goditi është papërgjegjshmëria shtetërore dhe mos funksionimi i shtetit shqiptar që kemi viktima dhe për këtë duhet të kemi përgjegjës, dhe duhet të ketë një njeri që është përgjegjës i kësaj gjëje.

Për mua zoti Rama, a do t’ia lerë të tjerëve, a do t’ia lerë emergjencave, a do t’ia lerë Ministrisë së Mbrojtjes, a do t’ia lejë Ministrisë së Brendshme, a do t’ia lejë Bashkisë së Krujës apo Bashkisë së Durrësit kjo është çështje e zotit Rama. Por për këtë ka përgjegjës, ka përgjegjës sepse kjo nuk ishte e rastësishme. Tërmetet ndodhin siç kanë ndodhur dhe përmbytjet, kanë ndodhur dhe përmbytje në Shkodër.

Më tej Kryemadhi shtoi se paratë për të pajisur forcat e emergjencave janë përdorur për të blerë gaz lotsjellës që është përdorur kundër protestuesve.

Unë mendoj që ne nuk kemi ata që marrin përsipër këtë. Ka një administratë publike, ka një polici shteti, e cila do të kishte bërë shumë mirë që ato paratë e gazit lotsjellës ndaj protestuesve shqiptar ti kishte harxhuar për të blerë dhe për të ndihmuar zjarrëfikset për të pasur shkallë e për të pasur mjete për të ndihmuar në raste të tilla.

Pra që janë harxhuar me mijëra euro për të blerë gaz lotsjellës për të nxjerrë qytetarët nga banesat e tyre, qoftë në Bulevardin e Madh apo qoftë në Unazën e Re, kemi një ushtri e cila për hir të së vërtetës çdo ditë dhe më shumë po rrënohet sepse i kemi premtuar NATO-s që do të shkojmë në një buxhet 2% por nuk është as 0,48%.

Kryemadhi akuzoi gjithashtu ministrinë e Arsimit si të papërgjegjshme në menaxhimin e situatës dhe se po përpiqet të fshehë të vërtetën për disa shkolla të dëmtuara.

Kemi një sistem arsimor të papërgjegjshëm, të cilët kanë rënë në duar të njerëzve të papërgjegjshëm që çfarë thonë në mëngjes nuk thonë në drekë, të cilët nuk pranojnë, sot skandali më i madh është në shkollën Emin Duraku që nuk lejojnë prindërit për të hyrë e për të parë se në çfarë klasa zhvillojnë mësimin fëmijët, sepse i kanë të ndaluar që t’jua mbyllin, sepse shtesa e re e Emin Durakut është dëmtuar dhe shkolla e vjetër ku është kapur ka probleme të tjera për shkak të gabimit të kapjes të gabuar të vazhdimësisë së shtesës së shkollës Emin Duraku apo në Petro Nini Luarasi apo në Sami Frashëri dhe në të tjera me radhë.

Dhe kemi një ministri e papërgjegjshme që thotë jo nuk ka asnjë lloj problemi, shkollat janë shumë mirë. Po të shkosh në Maminas dhe në Manëz tek shkollat fillore, kopshtet, 9 vjeçaret dhe të gjitha gjimnazet që janë jashtë funksionimit dhe jashtë përdorimit atëherë për çfarë do të ulem unë dhe çfarë do të ndjek unë nga afër.

Kreu i LSI-së tha se në këto kushte opozita nuk mund ti bashkohet një kryeministri që sipas saj nuk ka besimin e askujt dhe që për të është shkaktari i 51 viktimave të tërmetit.

Buxhetin e ka 0, thotë biles do t’ju mbledh unë lekët do mi jepni mua, mos më sillni më batanije dhe ushqime por më sillni lekë se do ti menaxhoj unë. Kush je ti që do ti menaxhosh këto lekë, me çfarë të drejte dhe kanë të drejtë njerëzit që janë skeptik, kanë të drejtë donatorët që janë skeptik.

Të vjen Turqia të thotë do ti ndërtoj vetë 500 shtëpi. Bashkimi Europian thotë do ti japim 15 milionë euro, do bëjmë dhe një konferencë donatorësh, doli vetë Presidentja e Komisionit Europian në konferencë shtypi ditën e mërkurë paradite, doli vetë në konferencë shtypi dhe tha do të bëjmë këtë gjë dhe do ti ndjekin vetë të gjitha hap pas hapi. Pra ky njeri që ka humbur besimin, gjithë shoqatat dhe gjithë fondacionet që kanë mbledhur para thonë do ti menaxhojmë vetë paratë dhe do ti shikojmë vetë.

Atëherë pse duhet të besojnë njerëzit dhe pse duhet të shkojmë ne të bëhemi palë me një njeri që me një farë mënyre është shkaktari i 51 viktimave, nuk është tërmeti shkaktari, është ai shkaktari i viktimave me mos ndërhyrjen e mos veprimin me dashje.