Bullgaria ka dërguar 12 inxhinierë ndërtimi në Shqipëri për të ndihmuar në vlerësimin e ndërtesave të prekura nga tërmeti i magnitudës 6.4 që goditi vendin në 26 nëntor.

Lajmin e pohoi Ministria e Jashtme e Bullgarisë në një deklaratë ku jepeshin dhe detaje mbi bisedën e drejtueses së këtij institucioni, Ekaterina Zaharieva dhe Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj. Cakaj ia kishte kërkuar dërgimin e inxhinierëve Zaharievës gjatë një telefonate të zhvilluar javën që shkoi.

Fill pas kësaj, Zaharieva kontaktoi Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike dhe me ndihmën e tyre, Universiteti i Arkitekturës, Ndërtimit dhe Gjeodezisë rekrutoi 12 specialistë nën drejtimin e Profesor Bogomil Petrov nga Departamenti i Materialeve të Ndërtimit dhe Izolimit. Ekipi inxhinierik ka marrë me vete pajisje për të përcaktuar forcën e mundshme kompresive të betonit, për të skanuar armaturën dhe për t`i bërë betonit verifikime me ultratinguj.

Cakaj, thotë Sofia Globe, shprehu falënderimet e tij duke thënë se reagimi I Bullgarisë, ishte ai I një “miku të vërtetë”.  Ai shtoi se vlerësohej që Shqipërisë i nevojiten gati 700 milionë euro ndihma, ndërsa më shumë se 7000 njerëz janë të pastrehë.

Pas tërmetit, qeveria e Bullgarisë ndau 200 000 leva (apo rreth 100 000 euro) si ndihmë financiare për Shqipërinë nga buxheti i Ministrisë së Jashtme. Edhe Kryqi i Kuq Bullgar dha gjithashtu ndihma.