Nga Klodjana Lala
Drama e Komisar Ajetit dhe përqafimi prej babai me zemër të plagosur!
30 sekonda….vetëm 30 sekonda fatale mjaftuan për ta shkatërruar vatrën e ngrohtë familjare të Ajet Meçjas.
Tërmeti i orëve të para të mëngjesit të 26 nëntorit e goditi fort oficerin e policisë. Ai humbi gruan, Rozën, vajzën e vetme Dienën (Diena Karanxha) dhe mbesën e mitur Esielën. Të hënën qw lamw pas, gjashtë ditë pas tragjedisë, që shkaktoi 51 viktima dhe 900 të plagosur, Ajet Meçjan e gjeta mes lotësh, përpara pallatit 6 katësh pranë kryqit të Kuq në Durrës, ku ai banonte me bashkëshorten, godinë, të cilën lëkundjet sizmike e shkatërruan tërësisht.
Prej andej ai mundi të dalë i gjallë, por fati i keq deshi që nën rrënoja të mbeteshin tri femrat më të shtrenjta të jetës së tij. “Përse nuk mbeta dhe unë brenda?” – thotë ai. Në bisedë Ajeti rrëfen se Diena pasi ndjeu lëkundjet e para të tërmetit, diku rreth orës 22.30 e telefonoi dhe i tha se do të shkonte të flinte tek prindërit.
Unë me gruan ishim në një darkë. Diena në mori dhe tha po vij te ju, sepse ndihem më e sigurt”, tregon Ajeti. Ai thotë se e bija Diena, që pas vdekjes së bashkëshortit, Dorit jetonte më të bijën. Dori ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Piktor i talentuar. Një djalë që e plotësonte Dienen. Ishte dramë e madhe vdekja e tij për ne. Vajza e vuajti shumë humbjen e tij, por kishte nisur pak e nga pak ta merrte veten. Ne ishim gjithmone pranë saj. Unë kam një shtëpi në Kavajë dhe shkoj herë pas here atje. Atë natë pas darkës me Rozin u kthyem dhe u bëmë bashkë, kujton oficeri.
Ajetin e takova në Durrës para pallatit të shembur në orën 05.10 minuta të mëngjesit të 26 nëntorit. Ishte tërësisht i shokuar. I gjakosur tek gjunjët. Mbi të gjitha i traumatizuar. Ai vendosi të fliste përpara kameras. Kërkonte ndihmë. Donte të ndërhyhej, sa më parë për të shpëtuar të afërmit e tij, dhe çdo person që dergjej nën rrënoja.
Diena më foli. Më kërkoi ndihmë. E pyeta po vajza si është: më tha e kam në gjoks. Por mamin nuk e shoh, më tha, kujton mes lotësh Ajeti.
Ai bëri cmos t’iu vijë në ndihmë, por ishte e pamundur, sepse për këtë duheshin mjete, duheshin njerëz të specializuar.
Përse?, pyet Ajeti. Përse mua? Përse nuk munda ta ndihmoj Dienën, Esielën, Rozin?
Orët në vijim ishin fatale. Diena Karaxha u nxor me shenja jete, pas një operacioni kërkim shpëtimi që zgjati 14 orë. Zjarrfikësit shqiptarë e të huaj shpjeguan se ajo ishte bllokuar te këmbët nga një bllok betoni. Dy orë me parë u nxor e pajetë e bija, Esiela, fryt i dashurisë së saj me Dorin.
Diena nuk ia doli dot. Ajo ndërroi jetë në spital. Ishin momente tragjike për Ajetin. E takova po atë mbrëmje oficerin. Ishte rikthyer pranë pallatit të rrënuar, për të pritur lajme prej andej, se mos bashkëshortja e tij mund t’ia dilte. Ende nuk e dinte që Diena kishte ndërruar jetë. Vajtonte për mbesën. Lajmin e kobshëm do ta mësonte pak më vonë.
Të nesërmen, ai më tregon se kërkoi fustanet e nusërisë për t’i përcjellë të dyja me të bardha. Por, gjashtë ditë pas tragjedisë, Ajeti bën shumë pyetje, që një ditë e duan një përgjigje. Jo thjesht e vetëm për të qetësuar zemrën e trazuar të komisarit, por sepse nëse dikush ka një përgjegjësi, sado e vogël qoftë, duhet të japë llogari.
Sot të gjithë duan të dine; a u ndërhy në kohë për të shpëtuar Esielën, mbesën e 8-vjeçare, të oficerit, të bijën Dienën dhe bashkëshorten Roza? Po për Klement Çupin a erdhi në kohë ndihma? Po për Saimir Grekun? Po për Dionis e Dionisa Lalën, binjakët që u gjetën të pajetë në gjirin e nënës së tyre Marjeta? A mund të ishte shpëtuar Emilio Lala e motra Amelia, kushërira e tyre, Grisilda? A mund të ishte shpëtuar dhe Roled Vata apo Aderina Kabili? Po Stela dhe i fejuari i saj, Almir Cara? Lista është e gjatë. Për fat të keq, shumë lot, shumë dhimbje.
Por përtej humbjes së madhe të jetëve njerëzore, shkatërrimit të qindra banesave, lëkundjet sizmike nxorrën në pah shumë probleme. Probleme që ne i kemi patur përditë para syve, por kemi heshtur.
Askush nuk pyeti më parë, se si është e mundur që ushtria shqiptare s’ka as mjetet minimale për të ndërmarrë një operacion kërkim shpëtimi? Cilit ushtar mund ti kërkojmë sot llogari, kur i duhet të rrëmojë me thonj? Kur kërkon levë apo çekan nga banorët rreth e rrotull banesave të rrënuara? Cilit zjarrfikës ti hakërrehem, kur pashë sesi Nadir Kapaj luftoi orë të tëra për të shpëtuar Ramë Lalën, i vetmi i mbijetuar nga 9 pjesëtarët e familjes. Po me ndërtimet çfarë ndodhi në 29 vite? Kush i dha lejet? Përse nuk u zbatuan ato? Me çfarë cilësie u ndërtua?
Për të gjitha këto pyetje duhet një përgjigje nga drejtësia e reformuar. Se nëse kjo nuk ndodh atëherë, jo vetëm zemra e Ajetit, nuk do të gjejë qetësi, por vritet shpresa e të gjithëve.
Tërmeti, nuk parashikohet. Ai mund të vrasë sic ndodhi. Por pas tragjedisë, duhet të flasim dhe të pranojmë se zyrtarët e korruptuar dhe ndërtuesit e pangopur abuzuan. U ndërtua pa kriter. Në çdo centimetër tokë. Pa u pyetur specialistët e fushës. E inatosën Natyrën. Vetëm kur abuzuesit, kushdo qofshin ato, me apo pa pushtet, të mbajnë përgjegjësi para ligjit, atëhere zemrat e familjarëve, do të gjejnë qetësi. E nga rindërtimi mund të shohim një Shqipëri ndryshe.
Ajeti me tregon, se u rikthye tek pallati, sepse dhimbja po e mbyt e duke e parë nga afër atë vendrrënojë, i duket sikur i zgjohen kujtime. E ka krejt të pamundur të pranojë se ka humbur familjen. I biri Maroldi, që i qëndron pranë që prej momentit që mbërriti nga Italia, i ka kërkuar oficerit të udhëtojnë baahkë për të qëndruar përtej adriatikut. Por Ajetit, kjo i duhet tradhti, ndaj tri grave të zemrës. Thotë se nuk mundet t’iu kthejë shpinën Rozës, Dienës dhe Esielës.
Pranë pallatit të vdekjes, u rikthyen edhe familjarët e Eduart Reçit, i cili për fat të keq, nuk mundi t’i mbijetonte tragjedisë, bashkë me gruan Dolorën e dy fëmijët, Kristi studentja ekselente e mjekësisë e Klausi. Në përkujtim të tyre, u vunë në rrënoja tufa me lule dhe u ndezën qirinj. Ata nuk flasin. Por në sy, e shprehin dhimbjen e madhe.
Oficeri u përqafua me ta. Më përqafoi dhe mua. Me rodhën lotët, kur me falenderoi. Ai nuk harroi të falenderonte të gjithë kolegët e mi të terrenit. Ndjeva që ishte përqafimi i një babai me zemër të plagosur. Mua, asnjëherë s’më kanë munguar përqafimet atërore, por ai i KOMISAR Ajetit, ishte krejt ndryshe.