Edhe pse nuk ka një ulje në tavolinë për të përballuar situatën pas tërmetit të 26 nëntorit, siç ka propozuar kryeministri Rama, duket se një koordinim në distancë me opozitën është vënë.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në shumë inspektime që ka bërë në zonat e prekura nga tërmeti, ka kërkuar nga qeveria që të bëhet një vlerësim i shpejtë i banesave, kryesisht në fshatra, dhe qeveria t’u japë para’ në dorë banorëve, që të nisin rindërtimin e banesave të dëmtuar.
Basha kërkoi disa herë që ky propozim të merrej sa më parë nga qeveria, e ndërkohë ka ardhur edhe përgjigja e kësaj të fundit.
“Do insistojmë të vijnë njerëzit të vlerësojnë banesat, se pas vlerësimit të banesave vjen vlerësimi i dëmit. E treta do insistojmë që dëmi të vij dhe ta dëmshpërblejnë financiarisht. T’i japin çdo familje lekët në dorë që të rindërtojnë shtëpinë. Ky është propozimi jonë.”,- është shprehur Basha gjatë një bashkëbisedimi me një banor në Ishëm.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të hartohet sa më shpejtë një plan, që banorëve që u është prishur banesa, kryesisht atyre në zonat rurale, t’u jepet në dorë një shumë prej 20 mln lekë të vjetra, që të fillojnë të rindërtojnë vetë banesat e tyre.
Kreu i qeverisë siguroi po ashtu, se rindërtimi nga banorët do të bëhet nën monitorimin e rreptë të ekspertëve, në mënyrë që punimet të jenë cilësore.
“Te bëjmë gati planin për shtëpitë individuale, për pallatet 100% është barra e qeverisë dhe kompanitë të mëdha, për ato individuale duhet bërë harta e veprimit që të ndajmë me organizatat solidare, që tu japim hartën zonën, numrin që procesi të nisë.
Familje në fshat që duan të rindërtojnë vetë shtëpitë tu japim financim, faktikisht me një financim në 20 mln lekë të vjetra mesatarisht ata janë gati që ta bëjnë vetë se fitojnë kohë dhe nuk presin që të vijë dikush, por kuptohet me supervizionim që të garantojë gjithë parametrat”- tha Rama.