Gjashtë vite pasi erdhi në pushtet, kryeministri Edi Rama ka arritur një sukses absolut, për të cilin nuk e konkuron dot asnjë lider europian apo afrikan. Ai është mbreti i propagandës dhe shfaqjeve live në rajon dhe më gjerë, ku bisedon, informon dhe argëton masat, në kohë reale.

Pas tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor, Rama e ka intensifikuar aq shumë propagandën dhe shfaqjet në televizionin e tij personal ERTV, sa disa qytetarë i thanë TPZ.al, se tashmë nuk përdorin më fare emrat e televizioneve por thonë “Çoje pak te Rama, se filloi!”. Në këto dalje, kryeministri bisedon me popullin, tregon barcaleta, inspekton pallatet, shan ministrat, bën për një lek kryebashkiakët, shan ata që shajnë Vangjush Dakon, etj, etj.

Për ta kuptuar me shifra se çfarë po i bën popullit Edi Rama, po ju njoftojmë, se në datën 1 Dhjetor, kryeministri është shfaqur në ERTV dhe për rrjedhojë në televizionet informative të vendit, për plotë 330 minuta, ose 5 orë e 30 minuta live. Transmetimi ka filluar në 6:04 të mëngjesit dhe ka përfunduar në 20:45 të mbrëmjes, sigurisht me intervale pushimi, kur lideri kryen nevojat e tij personale.

Me këtë shfaqje Edi Rama ia ka kaluar edhe ish liderit kuban, Fidel Kastro, i cili vendosi rekordin e tij në vitin 1960, gjatë një fjalimi në Kombet e Bashkuara, që zgjati plotë 4 orë e 29 minuta.

Por, ka një njeri të cilin Edi Rama nuk e ka kaluar ende edhe pse duhet të themi se është “kokë më kokë” dhe ndoshta së shpejti e kalon. Ky është Hugo Chavez, ish presidenti i Venezuelës, që njihet edhe si një nga liderët populistë më qesharakë në histori. Veç të tjerave, kjo edhe për faktin se, Chavez, për të kontrolluar masat, shfaqej në një program televiziv propagandistik, të quajtur “Alo Presidente”. Ky program transmetohej çdo të diel në orën 11:00, në televizionin dhe radion shtetërore. Në këtë program maratonë, Chavez shpaloste të gjithë politikat e tij, filozofinë që përqafonte, kritikonte zyrtarët, shkarkonte dhe emëronte ministra dhe kërkonte të afrohej sa më shumë me popullin, pak a shumë si Rama, me përjashtim të faktit se Chavez nuk e shante kurrë popullin, edhe po t’i shanin ndonjë nga zyrtarët e shkurtër që mbante vërdallë.

Chavez fliste thuajse pa pushim në këtë program, madje rekordi i tij është një puntatë e programit, ku ish presidenti venezuelian ka folur për plotë 8 orë pa ndalim.

Gjashtë vite pas vdekjes së Hugo Chavez, ekziston mundësia reale që kryeministri Edi Rama, të thyejë rekordin e tij, duke ja hequr ish presidentit të Venezuelës, ndoshta arritjen e vetme që ai ka në histori dhe duke u shpallur përfundimisht, mbret mbi mbretër i propagandës.

Të mos keqkuptohemi, Rama sigurisht e ka tejkaluar Chavezin në shumë aspekte, përshembull, ai ka ndërtuar televizionin personal me emrin e tij, ERTV (Edi Rama TV), gjë të cilën Chavezi as nuk e ka imagjinuar se mund ta bënte, por kryeministrit shqiptar, ende i mbetet të kalojë rekordin 8 orë live të venezuelianit. Jemi të bindur, që me këto ritme që po punon, do t’ia dalë!

/TPZ.al/