Kolonel Golan Vach, drejtuesi i njësisë së kërkimit dhe shpëtimit i Ushtrisë Izraelite, thotë se ata nuk do të largohen nga Shqipëria derisa banorët t’i kthehen jetës normale.

Në një intervistë për News 24, Koloneli Vach është shprehur se ata po inspektojnë bashkë me ekspertët shqiptarë godinat e dëmtuara nga tërmeti, ndërsa ka theksuar se deri tani kanë inspektuar 35 godina në Durrës, ku 90% e tyre kanë rezultuar të sigurta dhe pa probleme.

“Po ne dje ne kemi inspektuar në Durrës 35 ndërtesa, jam i lumtur tu them se më shumë se 1000 familje u autorizuan të ktheheshin në banesat e tyre. Më shumë se 90% e godinave që ne inspektuam kishin kodin jeshil, që do të thotë janë të banueshme për banorët”, ka thënë koloneli i trupave izraelite.

Më tej, ai ka thënë se po ndihmojnë ekspertët shqiptarë dhe po i këshillojnë si t’i menaxhojnë fatkeqësitë e kësaj natyre.

“Kemi ekspertizën që konsultohemi direkt në Izrael, kemi ineraktivitet me ta të vazhdueshëm. Ata i përgjigjen pyetjeve tona. Ne jemi këtu që të japim kontributin tonë me eksperiencën që kemi sigurisht në fatkeqësitë natyrore dhe në luftëra. Ne kemi një plan për të bashkëpunuar për të gjitha nevojat, jemi këtu për të ndihmuar qeverinë shqiptare dhe autoritetet për të planifikuar hapat e ardhshëm duke u bazuar tek të dhënat e mbledhura deri më sot.

Ne kemi një pajisje qe e quajmë “Harta e dhimbjes” ajo vendos të gjitha të dhënat së bashku dhe të nxjerr në pah problematikat reale. Kështu vendosen piketat tek prioritetet dhe fokusojmë fuqitë dhe burimet në vendet e duhura. Gjëja e dytë është kur inxhinieri vjen me kontraktorin i cili bën gati rregullimet përfundimtare të nevojshme nëpër banesa në mënyrë që njerëzit mos të rrinë jashtë banesave vetëm se banesa e tyre ka nevojë për rregullime të vogla”, u shpreh koloneli për News24.

Në fund, koloneli Vach u shpreh se ata do të qëndrojnë pranë popullit shqiptar, në shenjë falenderimi për ndihmën që shqiptarët i dhanë hebrenjve.

“Dua t’i them popullit shqiptar se populli hebre nuk harron se çfarë keni bërë për ta në Holokaust. Dhe shteti i Izraelit gjithmonë i paguan borxhet. Qëndroni të sigurt dhe ju ndihmoftë Zoti dhe se do të jemi me ju për aq kohë sa ju duhet që t’i riktheheni jetës normale”, tha koloneli i forcave izraelite Golan Vach.