Presidenti Meta është shprehur qartë se është kundër demonizimit dhe çdo lloj censure ndaj medias, të cilën e ka falenderuar për punën e bërë veçanërisht për raportimin e pasojave të tërmetit.

Në një intervistë televizive Meta tha se mediat kanë bërë një punë të shkëlqyer në raportimin e tyre. Pavarësisht rasteve të panikut të cilat i sjell tërmeti Meta tha se kjo nuk mund të përdoret për demonizim.

“Unë mendoj se çdo zë kritik duhet dëgjuar me qëllim reflektimin dhe përmirësimin e gjithë këtij mekanizmi të funksionimit të përballimit të kësaj krize. Sepse është një krizë krejtësisht e re, me të cilën ne ndeshemi, sepse në 1979-n ka qenë një situatë tjetër, tjetër shtet, nuk ka patur media, ka patur vetëm një TVSH (Televizioni Publik Shqiptar), ndërsa tani jemi në një situatë krejtësisht të re.

Nuk duhet të ecim në rrugën e censurës, por duhet të ecim në rrugën e bashkëpunimit me median dhe në rast se do të ketë informacione zyrtare periodike më të vazhdueshme, edhe për çdolloj media po themi dashakeqe, se do të ishte më e vështirë për të dhënë një lajm jo real, apo informacione jo të sakta. Pra, duhet ta shikojmë edhe nga transparenca nga pozicioni jonë. Sa më transparentë ne të jemi, aq edhe më mirë informohet opinioni dhe mediat detyrohet të gjitha të respektojnë këto standarde transparence.”, shtoi Meta. /Opinion.al