Në Thumanë grupi i prokurorëve dhe policisë kanë vijuar edhe ditën e sotme mbledhjen e provave materiale nga tre pallatet që u shembën në 26 nëntor nga tërmeti duke marrë 24 jetë dhe shtatë të tjerët që janë shembur në ditët e fundit me ekskavator nga IKMT-ja, pasi ishin kthyer në rrezik për banorët duke qenë se nuk u certifikuan si të banueshme. Report Tv sjell pamjet nga Thumana, ku pjesë betoni, arkitrarë, por edhe hekur e inerte janë marrë me kamion për t’u dërguar në laborator për të analizuar cilësinë.

Gjithashtu përpos godinave të banueshme, edhe te shkolla që u shemb sot, prokuroria ka marrë në terren mostrat e nevojshme (hekur, beton, tulla…) të cilat do të analizohen në laboratorë për të përcaktuar fortësinë e tyre, pasi vetëm pak muaj më parë (në gusht) ishte rikonstruktuar. Prokuroria e Tiranës, Durrësit dhe e Krujës nisën tre hetime për dëmet e mëdha që la pas tërmeti i 26 nëntorit. Një hetim është për godinat e shembura që lanë pas viktima nënë rrënoja. Hetimi i dytë po kryhet për 200 godina të dëmtuara në Durrës. Ndërsa hetimi i tretë është për qindra godina te tjera të dëmtuara në Tiranë.

Edhe kur prishen pallatet provat mbeten. Për çdo pallat që u rrafshua nga tërmeti apo duhet të shembet dhe për këto arsye është provë e krimit, fillimisht bëhet fotografimi i vendit të ngjarjes, më pas maten trashësia e hekurit dhe sa është e dukshme, dhe marrin kampionet e hekurit dhe te betoni për të analizuar në laborator.

Pra foto bashkë me kampionet e inerteve bëhen pjesë e dosjes. Këto informacione pastaj do krahasohen me të dhëna të parashikuara në fazën e ndërtimit, pikërisht lidhur me strukturën: pra numri dhe trashësi të kolona bashkë me llojin e hekurit dhe llojin e betonit. Sipas Artan Shkrelit që drejton ekipin qeveritar që mbivëzhgon monitorimet mbi pallatet e dëmtuara dhe mbivëzhgon edhe mbi shembje të atyre që rezulton të pabanueshme dhe në rrezik shembje, pretendon që për cdo pallate të shembur bëhen fotografi dhe krijohet një dosje teknike që mund të vendoset në dispozicion të prokurorit.