Shumë emisione televizive janë sensibilizuar me situatën në vend, duke anuluar transmetimin e tyre apo duke u ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti. Edhe Arbana Osmani së bashku me stafin e “Dua të të bëj të lumtur” ka dalë në terren për të takuar nga afër të gjithë të prekurit nga tërmeti dhe për t’u njohur me historitë e tyre.
Moderatorja e njohur ka publikuar në ‘Instagram’ disa foto në të cilat shihet stafi i saj duke komunikuar me familjet që kanë përjetuar momente të frikshme dhe me fëmijët, që janë tronditur më shumë nga kjo ngjarje.
“Stafi i ‘Dua të të bëj të lumtur’ është duke takuar prej ditësh nga afër të prekurit nga tërmeti, të cilët janë strehuar nëpër hotele dhe ambiente të tjera. Jemi duke parë dhe dëgjuar nga afër gjithçka për të cilën kanë nevojë duke shpresuar që me nisjen e programit në janar të mund të bëjmë sadopak të lumtur disa prej tyre”, ka shkruar Arbana.
Gjithashtu ajo ka bërë thirrje se nëse ka persona që duan të ndihmojnë raste të caktuara, mund t’i drejtohen emisionit “Dua të të bëj të lumtur”. Kujtojmë se para pak javësh Arbana zbuloi se sezoni i ri i “Dua të të bëj të lumtur” do të nisë transmetimin në 18 janar në “Top Channel”.