Pallatet, hotelet dhe shtëpitë që u shembën dhe prodhuan viktima nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, janë objekti kryesor i hetimit që ka nisur në prokurorinë e Durrësit. Grupi hetimor i përbërë nga tre prokurorët Edmond Kaloshi, Pali Deçolli Madrit Kullolli dhe që në ditët në vijim mund të shtohet edhe me prokurorin Afrim Shehu, që prej ditës së djeshme kanë sekuestruar dokumentacionin përkatës të objekteve të shembura. Ky dokumentacion është tërhequr nga zyra e urbanistikës, Kadastra, Drejtoria e Tatimeve dhe Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Mjedisit dhe Territorit. “Shqiptarja.com” mëson se tre ditë pasi kjo prokurori ka regjistruar procedimin penal për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumenti” dhe “Ndërtim pa lejë”, është zhvilluar një analizë pune me oficerët dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.

Në këtë analizë ku merrte pjesë drejtuesi i grupit të prokurorëve Edmond Kaloshi, dhe drejtori i hetimit të Krimeve të Rënda Tonin Vocaj e drejtori i krimit Ekonomik Lutfi Minxhozi, është ndërtuar një plan hetimor, ku përparësi i është kushtuar objekteve që u shembën gjatë tërmetit dhe prodhuan viktima e të plagosur. Me urdhër të prokurorisë është kërkuar që brenda kësaj jave të administrohen në mënyrë urgjente të gjitha dokumentacionet e objekteve si hotel “Lubjana”, hotel Mira-Mare, hotel “Tropikal” ku vdiqën dy vëllezërit nga Kosova, hotel “Viva Verde”, pallati 5 katësh në Durrës pranë “Kryqit të Kuq”, hotel “Gostivari”, që u shemb me tritol, objekti i shembur tek ish-Konvaleshenca, ku humbi jetën kryekomisari i Policisë Bajram Hajdarmataj dhe dokumentet e banesave të tjera në zonën e ish-kënetës në Durrës. “Primare janë rastet ku janë regjistruar viktima dhe të plagosur. Nga ana jonë dhe policia e Durrësit momentalisht po bëhet një identifikim përmes dokumenteve se kush persona ka ndërtuar këto objekte të shembura dhe kush i ka aktualisht në pronësi. Sigurisht që në ditët në vijim, fillon dhe verifikimi i pozicionit ligjor të çdo inxhinieri, kolauduesi dhe zyrtarë të ALUIZNI dhe IVMT-së, që ka hartuar dokumentacion për këto objekte…”-tha për “Shqiptarja.com” drejtuesi i grupit të prokurorëve Edmond Kaloshi.

Më tej Kaloshi tha se edhe objektet që do prishen në ditët në vijim do jenë primare të këtij hetimi të gjerë. Në ditët në vijim ky hetim pritet të çojë në prokurorinë e Durrësit për të dhënë shpjegime dy pronarët e hotel “Viva Verde”, Shaban Jaho dhe Arben Mulita të dy nga Skrapari. Njëherësh në prokurorinë e Durrësit do thirret për të dhënë shpjegime pronari i bar “Barons” që ndodhej brenda strukturës së katit të parë të pallatit, që u shemb në këtë qytet. Shumë qytetarë akuzuan pronarin e këtij lokali se kishte holluar muret, bazamentin mbajtës të pallatit, me qëllim përfitimin e hapësirave të mjaftueshme për lokalin e tij. Banorët pretendojnë se pikërisht nga ky lokal erdhi dhe shembja e komplet pallatit, pasi godina kishte humbur ndjeshëm bazamentin e saj në katin e parë. E njëjta procedurë do ndiqet edhe për pronarin e hotel “Lubjana”, “Mira-Mare”, “Gostivari” etj. Pa diskutim që në lupën e këtij hetimi këtë gjerë do jenë zyrtarë të ALUIZNI, zyrës urbanistike Durrës, drejtues të IVMT-së, e deri tek kolaudues objektesh të cilët kanë lejuar të ndërtohen kate shtesë mbi objektet, në zonën e plazhit dhe ish-kënetës.