Pas kallëzimit penal që SHÇBA bëri ndaj dy aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, policia tentoi arrestimin e tyre. Mësohet se policia ndaloi fillimisht Adriana Kalanë, një prej aktivisteve më të njohura të kauzës për Teatrin, me akuzën se ishte personi që kishte filmuar skenën kur ndihma për tërmetin po zbarkonin në ambientet e ministrisë së brendshme. Ndërhyrja në kohë e aktivistëve të tjerë bëri të mundur lirimin e saj.
Më herët Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) kallëzoi penalisht 2 përfaqësuesit e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, M.J. dhe E.M. për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Sipas ministrisë së Brendshme pamjet e publikuara janë pako ushqimore, të sekuestruara në cilësinë e provës materiale gjatë një operacioni të zhvilluar më datë 28.11.2019, për t’u magazinuar pranë magazinës së Drejtorisë së Përgjithshme të SHÇBA-së, me urdhër të Prokurorisë.
Me argumentin se po përhapin informata të rreme, policia e shtetit dhe qeveria po arrestojnë ditët e fundit edhe drejtues portalesh dhe qytetarë të thjeshtë për një status në Facebook. Kjo po shfrytëzohet edhe për të goditur zërat kritikë, por edhe për të intimiduar të tjerët.