Marsela është vetëm 8 vjeç dhe prej një jave i kalon netët e ftohta në mullarin e barit. Shtëpia e saj në fshatin Manzë e Vjetër, u shemb prej termetit të 26 Nëntorit. Dy prindërit që jetojnë me blegtori nuk kanë të ardhura për të ndërtuar shtëpinë e re.
Për shumë familje, tërmeti nuk është vetëm disa sekonda, por një vuajtje që zgjat pa ditur se kur do të ndryshojë. “ABC News” sjell historinë e Marselës, 8 vjeçe nga Manza, që prej një jave, fle në plastmas tek mullari i barit.
Pyetjes se a ke patur ftohtë gjatë natës, ajo i përgjigjet me “Po”.
Familja nuk ka të ardhura veç shitjes së qumështit, e nuk di nga t’ia nisë tashmë që shtëpia është shpallur e pabanueshme.
Banesa e Shkëlqim Gjokës u shkërrmoq prej dy të tërmeteve, dhe ai, nuk është ndihmuar nga askush. Plastmasin që kishte blerë për të mbrojtur ushqimin e kafshëvë, tashmë po e përdor për të mbrojtur kokën e familjarëve të tij. Bagëtitë janë e vetmja formë mbijetese, ndaj nuk pranojnë të largohen prej tyre.
Mamaja e Marselës, ka vështirësi të përgatisë ushqim apo tu pastrojë teshat. Edhe përpara tërmetit, familja Gjoka në Manëz të Vjetër, ka pasur jetë të vështirë. Kjo familje është mësuar të mbijetojë…
Toka ju ka dhënë ushqim, por tashmë toka po ju lëkund pa mëshirë të gjitha balancat familjare.
Ata drejtojnë sytë jo vetëm nga shteti, por tek kushdo, që mund t’i rikthejë buzëqeshjen Marselës… e cila fjalët, i ka të pakëta, që prej ankthit të 26 nëntorit./ABCNews/