Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi pak minuta më parë për mbylljen e disa portaleve apo faqeve në rrjetet sociale. Përmes dy postimeve të njëpasnjëshme në “Twitter”, Basha e dënon një gjë të tillë dhe e akuzon qeverinë se po shfrytëzon fatkeqësinë e tërmetit për ta arritur këtë gjë.
“Të shfrytëzosh këtë fatkeqësi për të mbyllur portale, faqe fb e rrjete të tjera sociale dhe të kërcënosh gazetarët nga mëngjesi në darkë vetëm pse janë kritikë me qeverinë dhe sjellin zërin e qytetarëve të lënë në harresë dhe pa asnjë ndihmë, është kriminale”, shprehet Basha në postim.
Lideri demokrat i bëri thirrje prokurorisë që të vihet menjëherë në lëvizje dhe të ndëshkohen ata që ndërmarrin përsipër nisma të tilla për të mbyllur mediat.
“Kjo është mënyra për të mbytur zërin e qytetarëve dhe të vërtetës që vjen përmes medias dhe portaleve të ndryshme. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet për dhunimin e fjalës së lirë nga qeveria. Me Kushtetutë dhe ligj kjo përbën një krim të rëndë që duhet ndëshkuar”, tha Lulzim Basha.