Memorie.al publikon dokumente historike nga arkivi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së me proces-verbalin e takimit ditor të Enver Hoxhës me sekretarët e Komitetit Qëndror, si:

Hysni Kapo, Ramiz Alia, Prokop Murra, etj., të mbajtur më datën 18 prill të vitit 1979, vetëm tre ditë pas tërmetit të fortë që goditi rrethet e Lezhës dhe Shkodrës ku humbën jetën 35 vetë dhe pati dëme të konsiderueshme materiale ku u shkatërruan apo u rrafshuan përtokë me qindra banesa dhe objekte social-kulturore, kryesisht në fshatrat e Shkodrës dhe Lezhës.

Të gjitha diskutimet dhe debatet në udhëheqjen e lartë të PPSH-së lidhur me zhdukjen dhe eliminimin e pasojave të tërmetit, si dhe porositë e sugjerimet konkrete që jepte Enveri se si duhej vepruar me rindërtimet e Bahçallëkut, Pentarit, qyteteve të Shkodrës e Lezhës, si dhe mos aprovimi i tij me idenë e Mehmet Shehut që kërkonte që qyteti i Lezhës të ndërtohej në mal….

Enver Hoxha – Tërmeti tundi malet, por jo shqiptarin (1979)

Enver Hoxha – Tërmeti tundi malet , por jo shqiptarin (1979)

Posted by Enveristet on Saturday, November 30, 2019

NË ZONAT E DËMTUARA NGA TERMETI NDERTIMET TË BEHEN ME TË FORTA E ME TE BUKURA

Nga biseda në takimin ditor të sekretarëve të KQ të PPSH

18 prill 1979

Në këtë takim shoku Ramiz Alia informoi gjerësisht për gjendjen në rrethet Shkodër e Lezhë, të dëmtuar nga tërmeti i 15 prillit:

SHOKU RAMIZ ALIA: Në rrethet Shkodër e Lezhë u takuam me njerëzit, me popullin. T’ju them të drejtën, shokë, kur shikoje atë fatkeqësi të madhe, ato shtëpi të rrënuara fare përtokë, të vinte shumë keq. Por, kur takoje njerëzit në këto rrethe të dëmtuara aq rëndë nga tërmeti, ata nuk prisnin t’u jepje kurajë, por flisnin me optimizëm, me një besim të madh te Partia, me një dashuri e siguri të madhe për mposhtjen e fatkeqësisë, që me të vërtetë të ngrinte peshë. Dhe aty ku nuk kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi në njerëz, të tërë në një gojë thoshin: «Mirë që nuk na u vra njeri, pa vështirësitë do t’i kapërcejmë. Partia na është ndodhur gjithnjë pranë, të gjithë ne e ndiejmë pranë Partinë». Një malësor më tha: «Partia ka ardhur qysh mbrëmë këtu mes nesh. Kush na solli bukë, kush na i solli çadrat»?

SHOKU ENVER HOXHA: Ai shprehu kuptimin e vërtetë se ç’është Partia.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, kuptimin e vërtetë të asaj çka është Partia. «Na erdhi Partia, na erdhi shoku Enver që në minutën e parë të fatkeqësisë» tha malësori. Fjalët ishin prekëse. Malësorët kanë një të folur të rrjedhshëm e plot emocion.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu duhet të flasin edhe kuadrot, Ramiz, thjeshtë, siç flet populli.

SHOKU RAMIZ ALIA: Më bëri përshtypje, shoku Enver, ajo që më thanë shokët e Partisë në Shkodër. Sapo kishte ndodhur tërmeti, të gjithë komunistët, sidomos të vjetrit, në masë, kishin shkuar në komitetin e Partisë. «Jemi në dispozicion të Partisë, jemi gati të shkojmë ku të na thotë Partia», thanë të gjithë, Shyqyri Hafizi, Nazmi Dibra, komunistë dhe nga ata që s’janë në Parti. Dhe të gjithë, bashkë me shokët e komitetit të Partisë, shkuan menjëherë në fshatrat që ishin dëmtuar më rëndë. Kjo është një gjë shumë pozitive. E kanë traditë të mirë këtë shkodranët. Në të gjitha qendrat e punës në qytet ishin bërë mbledhjet e organizatave-bazë të Partisë (se qendrat e punës i kanë ne patronazh fshatrat) dhe kishin dërguar menjëherë njerëz te vëllezërit e tyre fshatarë, të cilët i pyesnin: «Për çfarë keni nevojë? Keni nevojë për fuqi punëtore. për vegla pune, për para? Për çdo gjë që keni nevojë, na thoni, se jemi gati t’ju ndihmojmë». Buka menjëherë iu sigurua fshatrave nga qyteti. Gjithë kjo gatishmëri e popullit tregon besimin e madh që ka ai në vijën e Partisë, besimin tek e sotmja dhe tek e ardhmja e tij e ndritur.

SHOKU ENVER HOXHA: Të gjitha këto tregojnë për frymën e zjarrtë revolucionare që i karakterizon komunistët tanë. Partia vetëvepron. Nuk është nevoja, si të thuash, që t’i biesh bilbilit për t’i mbledhur anëtarët e saj. Të gjithë menjëherë u nisën atje ku i thërriste detyra. Tani rëndësi ka që të organizohen mirë punët. Është e domosdoshme të koordinohet puna midis organeve të Partisë dhe atyre të pushtetit. Sapo jepet një urdhër nga shtabi qendror për zhdukjen e pasojave të tërmetit, menjëherë komitetet e Partisë të këtyre rretheve marrin masat dhe së bashku me komitetet ekzekutive, me organizatat e masave, me ndërmarrjet, i vihen seriozisht punës për kryerjen e detyrave, marrin masa të dërgohen kontrollorë dhe të caktohen afate e të gjitha të tjerat, që urdhri i dhënë nga shtabi të zbatohet mirë e në kohë. Po në shtabin qendror kishin harruar të caktonin një shok nga aparati i Komitetit Qendror të Partisë. Është mirë që ky të jetë, se do të ndihmonte për koordinimin e punës me Partinë. Edhe drejtimi nga ana e Ministrisë së Ndërtimit të jetë në lartësinë e duhur. Për të gjitha materialet që do t’u dërgohen rretheve të dëmtuara nga tërmeti, për kuadrot dhe vullnetarët që do të venë për të dhënë kontributin e tyre atje, të merren masa që jo vetëm të priten mirë, por edhe të sistemohen sa më shpejt, që të mos humbasin asnjë minutë kohë. Në zonat e dëmtuara duhet të ketë një shtab të fortë, në varësi të Ministrisë së Ndërtimit, i cili të ndjekë punët deri në fund. Një nga zëvendësministrat e Ministrisë së Ndërtimit të jetë atje, por në shtabet për drejtimin e gjithë kësaj pune të caktohen njerëz të aftë, drejtorë ose zëvendësdrejtorë ndërmarrjesh dhe jo njerëz të fjetur, por energjikë, të papërtuar që t’i rrinë mbi kokë punës atje në Bushat, në Velipojë, në Dajç etj., se atje janë skuadrat që punojnë, atje do të venë edhe materialet. Pra, në këto vende të ketë njerëz që t’i presin e t’i sistemojnë materialet dhe forcat t’i drejtojnë atje ku duhet të fillohet puna menjëherë. Është mirë që të gjithë ata, që do të shkojnë vullnetarë në këto rrethe, të jenë specialistë, karpentierë, muratorë etj.

Por mendoj se atje ka nevojë edhe për arkitektë, se shtëpitë në këto zona duhet të bëhen të mira, të paktën dykatëshe. Për ndërtimet e reja të mendojnë e të punojnë arkitektët. Të krijojnë disa modele shtëpish të bukura dhe të ndryshme. Në mënyrë të veçantë të kujdesen për Bahçallëkun. Bahçallëku është hyrja e Shkodrës, lagjja që të jep përshtypjen e parë për këtë qytet. Prandaj të tregohet kujdes i veçantë për të. Atje duhen ruajtur pemët, shegët, dhe jo pri këtej e pri andej, se për këto e ka marrë edhe emrin Bahçallëk. Atje ka vend ku të ngrihen shtëpi edhe me dy kate, por, në qoftë se nuk ka mundësi, le të bëhen me një kat e me dy-tri hyrje dhe jo të gjitha të një tipi, por të tipave të ndryshëm. Ca prej tyre të ngrihen në anë të rrugës, disa të tjera në mes të kopshtijeve. Me një fjalë, atje të bëhen të tilla ndërtime që t’i japin Bahçallëkut pamjen e kopshti me të vërtetë të lulëzuar, ashtu siç e ka edhe emrin. Në fshatra është mirë të largohemi nga modeli i qytetit. Dua të them, të mos i nxjerrim tash të gjitha shtëpitë në rrugë, njëra pas tjetrës në radhë, si ushtarët. Në vendin ku kanë qenë dy-tri apo katër shtëpi, ashtu t’i bëjmë ato, bashkë. Shtëpitë atje i kanë kopshtet zakonisht nga mbrapa. Por ne të nisemi nga një frymë e re, prandaj të bëhen ndërtime që t’i japin mushkëri fshatit, që të marrë ajër.

Dhe kjo realizohet me gjelbërimin që nuk duhet të jetë vetëm nga pas, por diku përpara e diku edhe në mes të shtëpive. Tash, përderisa këto shtëpi i bëjmë të reja, duke përdorur fondet që kemi caktuar, atëherë edhe çështja e arkitekturës të shikohet. Edhe në qendrat e tjera të banuara të bëhen ndërtime të bukura, si për shembull në Pentar, i cili pothuajse është rrafshuar krejt. Të merren masa që i tërë ky fshat të bëhet i bukur, jo ashtu hajde si të marrë rryma, po të zgjedhim dhe të planifikojmë ndërtime të mira, të studiuara me kujdes, se një herë i bëjmë. Në qoftë se atje ka pasur ndonjë kopsht apo vresht të mirë, këto të ruhen. Fjalën nuk e kam vetëm për këtë fshat, por për secilën qendër të re që do të ndërtohet. Të parashikohen që në projekt të gjithë faktorët, edhe erërat, edhe vendi, edhe stili i shtëpisë, se kurdoherë populli i ka pasur parasysh këto kërkesa.

Gjithashtu, çështjet e sizmikës duhet të mbahen në qendër të vëmendjes. Të rikuperohen të gjitha materialet që nuk janë dëmtuar, si gurë, tulla, trarë etj. Tullat për Bahçallëkun, që është në rrugë, t’i çojnë nga Barbullushi dhe për shtëpitë që do të ndërtohen këtu, të përdoren tulla të kuqe. Shtëpitë e ndërtuara me këto tulla në mes të gjelbërimit, me siguri që do t’i japin këtij vendi një pamje shumë të bukur. Pse ngul këmbë në këto gjëra? Sepse shkodranët kanë bërë një gabim të madh që unë nuk ua fal. Ata kanë prishur Shkodrën e Vjetër, Pazarin e Vjetër, për të cilin flet edhe Barleti. I prishën, po tani ç’të bëjnë? T’i ndreqin, siç u bë në Gjirokastër? Ç’është kjo mani e rrafshimit të traditave?? Duhet ruajtur tradita sidomos në stilin e ndërtimeve. Nuk e kam fjalën për të gjitha, por për disa tradita në Shkodër, siç janë disa kolonada. Fundja tash ne mund t’i bëjmë dy shtëpi afër e afër me njëra-tjetrën dhe t’i lidhim me qemer, me disa kolona; dritaret të jenë të stilit të vjetër, por të bukura, të mbjellim atje ca hardhi etj., etj. Sidomos në Bahçallëk, e theksoj, të mbahet parasysh tradita në ndërtimet, por edhe në qendrat e tjera.

Gjithë kjo punë për likuidimin e pasojave të tërmetit duhet të bëhet nëpërmjet një aksioni të madh në shkallë kombëtare. Në rrethet e dëmtuara të venë, në mënyrë të organizuar, specialistë vullnetarë nga të gjitha rrethet e vendit tonë, jo vetëm nga ndërmarrjet e ndërtimit, por edhe nga fshatrat, se edhe atje kemi specialistë ndërtimi. Menjëherë pas grumbullimit të tyre të caktohen teknikët që do t’i drejtojnë, t’u jepet plani i ndërtimeve se si e ku do të fillojnë punën më parë etj., etj.

Duhet që çdo gjë të rikuperohet, çdo gjë të ecë në rregull, koha të shfrytëzohet sa më mirë që të shkurtohet afati i likuidimit të pasojave të tërmetit dhe materialet të përdoren me nikoqirllëk. Pra, kërkohet një organizim i mirë, se specialistët janë specialistë, por organizatorët luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Situatat janë të tilla që puna në këtë aksion të madh të fillojë në orën gjashtë të mëngjesit dhe të lihet vonë në mbrëmje, se njerëzit duhen strehuar sa më parë në shtëpitë e reja. Gjithashtu, të gjenden materialet ku janë e ku nuk janë, të sigurohen ato në kohën e duhur dhe të merren të gjitha masat e nevojshme që puna në frontin e ndërtimit të mos ndërpritet për asnjë çast.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ishim edhe në Lezhë, shoku Enver. Qyteti është dëmtuar, sidomos pjesa ku është komiteti i Partisë dhe vendvarrimi i Skënderbeut. Shumica e shtëpive të dërntuara atje duhen rrafshuar, se gati të tëra kanë dalë jashtë përdorimit.

SHOKU ENVER HOXHA: Të përgatitet një plan rregullues për qytetin e Lezhës. Këtu kemi të bëjmë me një qytet me histori të lashtë. Më thanë se disa ishin të mendimit që ta linin për kopshte atë pjesë që është dëmtuar shumë nga tërmeti. Por unë nuk jam dakord me këtë mendim. Të ngarkohen dy-tre arkitektë të zotë t’i futen punës e të bëjnë planimetrinë për rreguIlimin e saj. Kurse varri i Skënderbeut të qëndrojë patjetër atje. Para se të vihet dorë në këtë pjesë të dëmtuar, ku ishte komiteti i Partisë etj., duhet menduar mirë, se ka pjerrësi. Prandaj mendoj që atje të bëhet diçka, për shembull, të bëhen shkallë dhe rruga të mbetet atje ku është.

Pra në këtë vend deri te varri i Skënderbeut të bëhet një shesh. Ky të jetë një vend mitingjesh, vend për shëtitje, ku të ndërtohet në të ardhmen edhe ndonjë teatër veror, ku të ngrihet skena dhe disa shkallë që të shërbejnë për t’u ulur njerëzit. Shtëpitë e qytetit të ndërtohen me planimetri. Unë jam i mendimit që këto ndërtime nuk duhet të shkojnë deri në lumë. Është gjë e bukur që një qytet të ketë pranë lumin. Dhe këtë lumë që kalon nëpër qytet, ta zësh me mure dhe me shtëpi, artistikisht nuk shkon. A ka nevojë qyteti i Lezhës për një pyllëzim, për një vend të ajrosur, ku të shkojnë banorët e saj të çlodhen e të dëfrejnë? Ka, si nuk ka. Atëherë, sikur anës së Drinit të bëhet një shetitore e bukur, e pyllëzuar, a nuk do të ishte mirë? Ta zbukurojmë Lezhën, duke mbjellë shelgje të bukura lotuese dhe drurë të tjerë dekorativë.

Të merret uji me pompa për ujitje dhe të krijohet një gjelbërim i madh në qytet, të zbukurohen rrugët. Ndërsa për sa i përket amfiteatrit me shkallë, të bëhet ashtu si ta mendojnë arkitektët. Duhen bërë parashikime edhe për vendvarrimin e Skënderbeut. Tani është çështja e shtëpive, se si dhe ku do t’i ndërtojmë. Ne nuk duhet të zëmë tokë buke. Mirëpo, në qoftë se nisemi nga ky mendim, atëherë nuk do të ketë gjelbërim në qytet. Mua më duket se qyteti i Lezhës ka mjaft vend që të zhvillohet. Shtëpitë e reja për banorët të ndërtohen në hyrje, nga krahu i djathtë tutje dhe nga krahu i majtë, që është një çikë si kodër.

SHOKU RAMIZ ALIA: Dje, shoku Enver, biseduam për këto probleme me shokët e Lezhës. Cili ishte mendimi i lezhianëve? Mendimi i tyre përputhet me këtë që thoni ju. Ata shprehën mendimin që shtëpitë të mos i ndërtojnë në breg të Drinit, po në hyrje të qytetit.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu të bëhet.

SHOKU RAM1Z ALIA: Mirëpo Mehmeti ua preu, duke u thënë që gjithë Lezha të ngjitet në mal. Ata nuk ishin dakord me këtë mendim.

SHOKU ENVER HOXHA: Të ngjitet në mal! E pse të bëhet kjo? Nuk duhen dhënë mendime të tilla të nxituara. Për këto çështje duhet marrë edhe mendimi i specialistëve, se Lezha është qytet me rëndësi historike. Ne ta bëjmë këtë qytet tamam siç e meriton, si një qendër që lidhet me historinë e Skënderbeut. Tani, që do të bëhet planimetria e qytetit, duhet mbajtur parasysh se ku do të kalojë hekurudha. Stacioni mund të bëhet në hyrje të Lezhës dhe treni të dalë në Zadrimë Në këtë mënyrë ndërtohet një urë dhe qyteti lihet i pastër nga tymrat dhe nga të gjitha ndotjet e tjera të dëmshme për qytetin. Problemin e ndërtimeve në Lezhë ta shikojmë me kujdes. Zhdukja e pasojave të tërmetit do të na kushtojë miliona. Po këto miliona janë materiale, të cilat duhet t’i japim medoemos me plan, veçse të jemi të sigurt që do të lëmë mangut diçka diku gjetkë.

Që të bëhet kjo punë si duhet, nuk është aq e lehtë. Kjo kërkon studim. Pra, se ku do të heqim, ku do të lëmë dhe ku do të zëvendësojmë ose ku do t’i bëjnë të reja që të mund të kompensohen, të tëra këto duhen menduar mirë. Rrethit të Beratit, për shembull, do t’i kërkohet që të prodhojë kaq tulla, një rrethi tjetër, kaq tjegulla. Rrethit të Durrësit të mos i kërkohen vullnetarë, por t’i shtrohet detyra që Fabrika e Gozhdë-Bulonave, për shembull, të prodhojë kaq tonë gozhdë mbi planin me dimensionet e nevojshme dhe brenda një afati të caktuar; asaj të qelq-xhamit t’i kërkohet të prodhojë xhama mbi planin. Po kështu Korçës t’i thuhet që duhen kaq mijë mentesha brenda dy muajve; kombinatit të drurit dyer e dritare e të tjera, e të tjera me radhë. Duhet forcuar prodhimi, të gjitha fabrikat e tullave të punojnë me tri ndërresa, ndërsa ato fabrika që janë në ndërtim, me goditje të përqendruar të përfundojnë dhe të futen sa më parë në shfrytëzim, në afatet që u duhen caktuar.

SHOKU RAMIZ ALIA: Menjëherë shoku Enver, qysh të dielën që ra tërmeti, nëpër ndërmarrje në Shkodër kishin shkuar sekretarë të komiteteve të Partisë të rretheve të ndryshme, nga V1ora, Korça, Durrësi, Elbasani dhe deri nga Saranda e Lushnja.

SHOKU ENVER HOXHA: Kjo tregon që njerëzit tanë janë me iniciativë, me vullnet, me energji, njerëz që i dinë ligjet, njohin dhe mundësitë. Të gjitha i dinë, prandaj le të veprojnë me iniciativë. Kjo nuk do të thotë të krijojmë anarki. Jo, të krijojmë komisione, dakord, t’u japim dhe urdhër, por të jemi të sigurt se ato do t’i kapërcejnë vështirësitë. As i lajmëroi njeri, u ngritën vetë gjithë ata njerëz në këmbë dhe u thanë shokëve të rretheve të dëmtuara se ç’duhet të bëjnë për t’i ndihmuar.

SHOKU HYSNI KAPO: Që atë ditë, shoku Enver, më erdhi një shok i Partisë në Vlorë dhe më tha se ç’kishin bërë: «Kemi mbledhur sekretarët e organizatave-bazë dhe u kemi thënë që të jenë në gatishmëri; në fshatra, në bazë zonash, kërkuam të na njoftojnë sa specialistë kanë. Tani po presim të na vijnë kërkesat, se sa të tillë duhen dërguar në Shkodër e në Lezhë».

SHOKU ENVER HOXHA: Pra, ka një gatishmëri plotë. Vetë iu futën kësaj pune. Kjo tregon se shokët e Partisë në bazë janë njerëz të pjekur, me eksperiencë, prandaj dinë se si duhet vepruar në këtë apo në atë rast. Ne mund të kemi një eksperiencë më të gjerë, më të përgjithshme se, duke qenë në funksionin e udhëheqësit të Partisë, Informohemi e mësojmë nga të gjithë. Megjithatë edhe kuadri drejtues i Partisë në rreth nuk është njeri i ngushtë, se ai drejton një rreth të tërë. Tani kërkohet mobilizim i madh në çdo front pune për t’i ardhur në ndihmë Republikës që të përballojë edhe fatkeqësinë natyrore që ndodhi në disa rrethe. (Më poshtë biseda vazhdoi rreth strukturës organizative të disa instituteve e ndërmarrjeve). Për zhvillimin e ekonomisë sonë me ritmet që kërkohet, ne duhet të ndalemi e të shikojmë disa çështje, siç është ajo e strukturave tona organizative, që ato të jenë sa më efikase. Për këtë të mendojnë të gjithë shokët drejtues, ministra, zëvendësministra, drejtorë etj. Struktura organizative në sektorin e naftës, për shembull, është e vjetër.

Këtë e kam thënë edhe një herë tjetër, që kjo çështje të rishikohej. Në Ministrinë e Industrisë dhe të Minierave duhet të ketë një drejtori të fuqishme për çështjen e naftës, që të drejtojë gjithë punën në këtë sektor, që nga shpim-shfrytëzimi, transporti dhe të tëra degët e tjera me radhë, drejtoritë dhe Institutin e Naftës dhe të Gazit. Tani instituti i ka marrë të tëra kompetencat dhe ata pesë veta që ka ministria atje bëjnë siç thotë instituti. Në fakt duhet të ndodhë e kundërta. Ky duhet të funksionojë jo në mënyrë të pavarur dhe jo t’i imponohet ministrisë, por të marrë prej saj detyra, porosi dhe t’i zbatojë ato në mënyrë krijuese. Për një sektor kaq të rëndësishëm, siç është ai i naftës, në ministri duhet të ketë specialistë që të jenë në gjendje të orientojnë dhe t’i kërkojnë llogari institutit për çdo problem. Ky të bëjë detyrën dhe të japë llogari deri në një përpara Ministrisë së Industrisë e të Minierave për realizimin e detyrave që i ngarkohen. Nuk mund të lejojmë të punohet si do njëri apo tjetri, por si e kërkojnë interesat e ekonomisë sonë socialiste.

SHOKU HYSNI KAPO: Këto ditë që isha në Vlorë, Hekurani [Isai] më foli për gjendjen e makinerive dhe për prodhimin e pjesëve të këmbimit për sektorin e naftës. Ofiçinat tona mekanike që duhet t’i prodhojnë, pengojnë, sepse ato janë të ngarkuara të bëjnë pajisje të mëdha, siç janë sondat. Pra angazhohen vetëm me këto, dhe meqë plani realizohet, lënë pas dore pjesët e vogla të ndërrimit e pajisje të tjera, që duhen për sektorin e naftës.

SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë, more shoku Hysni, po sa kushton sonda që do të prodhojnë këta, 2 milionë, 2 milionë e gjysmë dollarë?! Është e drejtë që gjatë kësaj kohe të rrinë pa u shfrytëzuar kaq e kaq sonda që të japin, për shembull, 400-500 mijë tonë naftë? Këtu, më duket mua, duhet ecur me llogari. Përse i bëjmë këto gjëra, për famë? Kështu nuk bën të veprohet. Vijon nesër…/ Tiranapost.al.