Në Durrës kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët për dorëhqjen e Valbona Sakos nga posti i kryetares së bashkisë.
Sako njoftoi dorëheqjen e saj sot në mëngjes, e cila argumentonte se vendimi vinte pas deklaratave të saj për tërmetin ditën e djeshme.
Ndërkohë, lidhur me këtë vendim të Sakos, Rama ka refuzuar të japë një përgjigje konkrete, ndërsa u ka kërkuar gazetarëve të mos merren me histori anësore.
“Ajo që mendoj se është me rëndësi, është që në këto momente të jepni sa më shumë energji pozitive. Mos të merremi me këto histori anësore. Ju jeni heronj në terren, por ata që ju drejtojnë me telefon nga redaksitë dhe të mbledhin në darkë lloj lloj sharlatanët, sepse njerëzit janë të tmerruar. Një nga gjeneratorët e tmerrit janë ekranet e debateve pa kuptim. Janë ekrane ku jepen kronika sikur në çdo shtëpi ka rënë bomba. Ndaj është misioni juaj që të thoni; nuk ka rëndësi fare nëse ka plasur apo jo muri, por rëndësi ka që a është prekur apo jo struktura, a janë prekur apo jo kolonat? Nëse nuk na ndihmoni, mos na e bëni punën të vështirë duke hedhur helm dhe duke mbjellë mërzi dhe duke krijuar mërzi. I luajtët mëndsh njerëzit. Jo ju që jeni këtu në terren, por përmes ekraneve”, është shprehur ai.