Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade i bën thirrje Presidentit dhe Kuvendit që përplasjen për Gjykatën Kushtetuese se problemin duhet ta zgjidhin me dialog.
Ish-zyrtarja e lartë e Partisë Socialiste shprehet se interpretimet e ndryshme ligjore nga ana e politikës po mbajnë peng ngritjen e organeve të reja të drejtësisë.
“Gjërat i zgjidhim patjetër përmes dialogut dhe përmes zbatimit të ligjit, të cilin për shkaqe të caktuara e lexojnë në mënyra të ndryshme. Kjo është e papranueshme. Ne duhet ti përmbahemi vetëm ligjit dhe në mënyrë urgjente të kemi institucionet e munguara prej më se dy vjetësh”, tha Arta Dade.
Nga ana tjetër “krisjen” e marrëdhënieve të Edi Ramës me liderët e Kosovës, Dade e shikon si show të kryeministrit shqiptar. Për të minishengeni ballkanik pa Kosovën është një strategji e gabuar nga ana e kreut të qeverisë.
Sipas saj, “duhet të shmangemi nga veprimtaritë për të bërë show dhe për konsumim publik. Duhet të bashkëpunojmë me Kosovën dhe pastaj me Serbinë. Të mos ketë ngut për ta organizuar një konferencë të tillë në Tiranë”.
Dade i kërkon Edi Ramës që të marrë parasysh kritikat e Kosovës dhe Shqipërisë, që me këtë nismë Serbia po kërkon të fuqizohet sërish në Ballkan.
“Ka njerëz që besojnë se kjo është një tentativë nga ana e Serbisë, për të marrë lidershipin, por gjithashtu edhe për të krijuar një lloj Jugosllavie të vjetër. Asgjë e keqe nuk i vjen qeverisë shqiptare, që të ulet dhe të sqarojë edhe këto sensibilitete që janë dukshëm në opinionin publik shqiptar dhe kosovar”, u shpreh Arta Dade për Ora News.
Për ish-ministren e Jashtme politika shqiptare nuk duhet të gjejë fajtorë të jashtëm për moshapjen e negociatave, por duhet të punojë mbi çështjen e azilkërkuesve që është kthyer në një shqetësim në rritje.